
Moska i nis fluturimet direkte për në Korenë e Veriut
Fluturime të drejtpërdrejta mes Moskës e Koresë së Veriut kanë filluar këtë javë, në kohën e fuqizimit të lidhjeve mes dy vendeve dhe kur opsionet për turistët rusë që udhëtojnë jashtë vendit janë pakësuar.
Fluturimi i parë Moskë – Penjan, i realizuar nga kompania ajrore ruse, “Nordwind Airlines”, u nis të dielën, sipas uebfaqes së aeroportit “Sheremetyevo”, dhe aeroplani aterroi në kryeqytetin koreanoverior rreth tetë orë më pas, raporton gazeta “The Guardian”.
Kjo linjë do të realizohet fillimisht vetëm një herë në muaj, tha Ministria e Transportit e Rusisë, ndërsa kthimi i parë nga Penjani në Moskë do të bëhet të martën.
Kompania “Nordwind Airlines”, e cila bartte rusë për në destinacione pushimesh në Evropë para se Bashkimi Evropian ta fuste në fuqi ndalimin e fluturimeve ruse, pati bileta me çmim prej 45 mijë rublash (570 dollarë) për në Penjan.
“Kjo është një ngjarje historike, duke i forcuar lidhjet mes vendeve tona” – tha Olegu, punonjës i kompanisë “Nordwind” që po e menaxhonte fluturimin. Ai nuk deshi ta jepte emrin e plotë për agjencinë e lajmeve AFP në aeroport. Rusi gjithashtu refuzoi të tregonte se sa pasagjerë ndodheshin në aeroplan.
Rusia dhe Koreja e Veriut kanë ndërtuar lidhje më të ngushta ushtarake viteve të fundit. Penjani ka dërguar trupa e armë në Rusi për operacione kundër Ukrainës. Dy vendet vitin e kaluar nënshkruan një pakt të mbrojtjes reciproke, kur presidenti rus, Vladimir Putin, e vizitoi fqinjin lindor.
“Për herë të parë në më shumë se 70 vjet të marrëdhënieve diplomatike, ne po nisim fluturime të drejtpërdrejta mes kryeqyteteve të vendeve tona” – citohet të ketë thënë zëvendësministri i Transportit i Rusisë, Vladimir Poteshkin.