Moska i përgjigjet Trump dhe liderëve të BE-së: Jemi mësuar me sanksionet, nuk trembemi

10 maj 2025 | 17:08

Moska zyrtare ka reaguar menjëherë, pas ultimatumit nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, dhe udhëheqësit evropianë për “sanksione të ashpra” nëse Rusia refuzon të bjerë dakord për një armëpushim 30-ditor në Ukrainë.

Reagimi i parë nga Moska erdhi nëpërmjet zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, i cili sqaroi se Moska “është mësuar tashmë me sanksionet”, raporton agjencia TASS.

“Ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë për të minimizuar ndikimin e tyre. Tani kemi mësuar ta bëjmë mirë. Nuk ka kuptim që ata të përpiqen të na trembin me këto sanksione”, tha Peskov.

“Ukraina nuk është gati për bisedime me Rusinë për t’i dhënë fund luftës”, shtoi Peskov në një intervistë me ABC News.

Për momentin, “trupat ruse po përparojnë”, theksoi ai. Ai gjithashtu pohoi, duke komentuar praninë e udhëheqësve të lartë evropianë në Kiev, se “disa u shqetësuan nga prania e shumë udhëheqësve në festimet e djeshme të Ditës së Fitores në Moskë”, ku Presidenti kinez Xi ishte midis të pranishmëve.

Kujtojmë se në takimin e udhëheqësve të “aleancës së të vullnetshmëve” të mbajtur më parë në Kiev, udhëheqësit evropianë, me mbështetjen e Presidentit të SHBA-së Donald Trump, ranë dakord për një armëpushim 30-ditor në Ukrainë pa kushte nga 12 maji, duke e kërcënuar presidentin rus Vladimir Putin me vendosjen e sanksioneve të reja “masive” nëse ai nuk i zbaton ato.

Njoftimi u bë nga udhëheqësit e Britanisë, Francës, Gjermanisë, Polonisë dhe Ukrainës, pas takimit të tyre, gjatë të cilit ata patën një bisedë telefonike me Presidentin Trump, madje duke pretenduar se tani “topi është në fushën e Rusisë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
dhëheqësit evropianë në një vizitë të përbashkët në Kiev i…