Moskë: Disa blerës pranuan ta paguajnë gazin rus në rubla

15 prill 2022 | 16:31

Disa blerës të gazit rus kanë pranuar që pagesat t’i bëjnë me rubla, tha zëvendëskryeministri rus Alexander Novak, raporton “Reuters”.

“Po presim vendimin (kalimin në rubla) nga importuesit e tjerë”, ka thënë Novak në komentet e publikuara në revistën e brendshme të ministrisë.

Novak nuk e ka zbuluar identitetin e blerësve të cilët kanë kaluar në pagesën me rubla.

Presidenti rus Vladimir Putin, ka thënë muajin e kaluar se blerësit e gazit rus nga vendet “armike” duhet të paguajnë në rubla, një masë e refuzuar nga autoritetet e Bashkimit Evropian në kuadër të regjimit të sanksioneve kundër Moskës.

Putini ka paralajmëruar Evropën se po rrezikon që furnizimin me gaz të ndërpritet, nëse nuk paguhet në monedhën ruse, ndërkohë që po përpiqet të hakmerret për sanksionet.

BE-ja ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës fqinje, të cilën Moska e quan një “operacion special ushtarak”.

Në mars, Putini ka propozuar që blerësit e energjisë të hapnin llogari në “Gazprombank”, ku pagesat në euro ose dollarë do të konvertoheshin në rubla.

Armenia ka bërë disa pagesa në rubla për dërgesat e gazit natyror rus, ka thënë ministri i saj i ekonomisë Vagan Kerobyan, më 15 prill, në një intervistë për median ruse “RBC”.

Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Sijarto, ka thënë më 11 prill, se Hungaria planifikon të paguajë gazin rus në euro, përmes “Gazprombank”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Roma arriti të kualifikohet në gjysmëfinalen e Conference League pasi…