Moskonstituimi i Kuvendit rrezikon organet e pavarura

07 korrik 2025 | 12:20

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), pas dështimit të 43-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se moskonstituimi i Kuvendit po rrezikon të bllokojë funksionimin e institucioneve të pavarura.

IKD-ja ka theksuar se mosefikasiteti dhe dështimi për të emëruar anëtarët në organet kolegjiale dhe individuale, që janë kompetencë e Kuvendit, janë bartur edhe në legjislaturën e nëntë.

“Pasojat e moskonstituimit tashmë janë të dukshme në mosfunksionimin e disa organeve dhe do të bëhen edhe më evidente në muajt në vijim, për shkak të skadimit të mandateve të tjera”, është thënë në reagimin e IKD-së.

Po ashtu, IKD-ja ka shtuar se përgjegjësia kryesore për këtë situatë i takon shumicës parlamentare të legjislaturës së kaluar, e cila, ndonëse kishte fuqinë për t’i realizuar këto emërime, zgjodhi të mos veprojë, duke lënë pas dore dhe neglizhuar obligimet kushtetuese e ligjore.

Sipas IKD-së, tashmë është identifikuar një numër institucionesh dhe agjencish të pavarura që po funksionojnë me vështirësi.

IKD-ja ka përmendur ndër të tjera institucionet që po punojnë me mungesë anëtarësh, si Gjykata Kushtetuese, Organi Shqyrtues i Prokurimit, Institucioni i Avokatit të Popullit, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, Agjencia Kosovare e Pronës, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës dhe Komisioni i Pavarur për Media (KPM).

Shoqëria civile ka protestuar disa herë para Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar që ky institucion të konstituohet pa vonesa të mëtejshme dhe të fillojë përmbushjen e detyrimeve kushtetuese për emërimin e anëtarëve në institucionet e pavarura.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Turqia ka regjistruar 761 zjarre gjatë 10 ditëve të fundit,…