
Mosndarja e buxhetit, Sindikata e RTK-së paralajmëron protestë
Sindikata e punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK), ka deklaruar se nëse deri më 5 gusht nuk alokohen mjetet buxhetore, më 6 gusht do të jetë protesta e tyre e parë, si paralajmërim deri në grevë të përgjithshme.
Kryetari i SPERTK, Gëzim Bimbashi në një konferencë për media tha se moskonstitumi i kuvendit ka bllokuar RTK-në.
“SPERTK po e shpreh sot publikisht shqetësimin dhe indinjatën e saj për situatën alarmante në të cilën ndodhet Radio Televizioni i Kosovës, si pasojë e mungesës së alokimit të buxhetit dhe bllokimit të kapaciteteve tona. RTK-ja, si shërbim publik, ka detyrim kushtetues dhe ligjor për të informuar qytetarët ne mënyre të pavarur dhe te paanshme. Mungesa e buxhetit po e vë ne pikëpyetje këtë mision themelor. Si pasojë e moskonstituimit dhe mosveprimit të Kuvendit, RTK është bllokuar. Megjithatë, duhet ta themi qartë se nga ky bllokim nuk mbesin pa paga deputetët dhe zyrtarët shtetërorë, por punëtorët e RTK-së, të cilët edhe pse kanë buxhetin të ndarë me ligj, nuk po mund t’i marrin pagat e tyre”, u shpreh Bimbashi.
Tutje, ai tha se nëse kjo gjendje vazhdon do të mbesin pa paga 700 punëtorë dhe do të rrezikohet funksionimi i televizionit publik.
“Nëse kjo gjendje vazhdon, mbi 700 punëtorë te mbesin pa paga dhe do të rrezikohet seriozisht funksionimi i televizionit publik ne jemi te obliguar të marrim masa tjera sindikale. SPERTK pret nga institucionet shtetërore afatin deri më datë 5 gusht që të alokojnë mjetet sipas obligimeve ligjore. Nëse deri atëherë nuk ndërmerren hapa konkretë, më datë 6 gusht SPERTK do të organizojë protestën e parë, si paralajmërim për veprime te mëtejshme, deri në grevë të përgjithshme”, tha Bimbashi, raporton KP.
Ndërsa anëtari i SPERTK, Fisnik Durguti tha se janë takuar edhe me avokatin e popullit ku kanë shprehur shqetësimet e tyre.
“Ne kemi pasur takime edhe me akterë të ndryshëm të institucioneve të vendit, kemi pasur edhe me institucionin e avokatit të popullit, me ç’rast ia kemi shprehur këto shqetësime tona të cilat janë të përditshme. Secila qeveri që ka ardhur na ka bërë me dije që do të ndreqet statuti i institucionit publik por megjithatë duket fare e qartë qe nuk ka pasur vullnet politik”, tha Durguti.
SPERTK u bëri thirrje të gjitha partive politike dhe institucioneve që të mos e përdorin RTK-në për interesa politike, por ta mbrojnë atë si pronë publike dhe si një ndër shtyllat e demokracisë.