
‘Mosveprimi thellon krizën politike’, diplomati gjerman takon kryetarin e Kushtetueses
I ngarkuari me punë në ambasadën gjermane, Christian Böttcher është takuar të mërkurën me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Nexhmi Rexhepi.
Në një njoftim e kësaj ambasade është thënë se Kushtetuesja është një shtyllë thelbësore e demokracisë dhe se duhet të zbatohen vendimet e saj.
“Të gjithë aktorët politikë duhet të zbatojnë vendimet e gjykatës – ky është një detyrim kushtetues për deputetët. Mosveprimi jo vetëm që zgjat, por edhe thellon krizën politike, duke dëmtuar vendin. Siç u tha më parë: Është koha e duhur për ta vënë vendin në vend të parë, jo politikën partiake”, ka njoftuar Ambasada e Gjermanisë.
Sipas njoftimit, Böttcher e ka përgëzuar Gjykatën Kushtetuese për punën e saj jetësore dhe riafirmoi mbështetjen e plotë të Gjermanisë.