
Mourinho dëshiron të rikthehet në vendlindje
Jose Mourinho ka zbuluar dëshirën e tij të madhe: të mbyllë ciklin si trajner në vendlindjen e tij, Portugali. Pas fitores 2-1 të Fenerbahçes në një ndeshje miqësore kundër Portimonense, “Special One” ka folur hapur për synimin e tij për të drejtuar një klub ose kombëtaren portugeze në të ardhmen.
“Do të shkoj patjetër në Portugali. Nuk ka ndodhur ende, por do të ndodhë. Jo sepse ndjej se fundi po afrohet, por sepse ndjej se jam ende larg tij”, u shpreh Mourinho për mediat.
Trajneri portugez theksoi se nuk dëshiron të kthehet në shtëpi për një “periudhë të artë” të fundit, por në kulmin e formës së tij.
“Dua të shkoj në Portugali në momentin më të mirë të karrierës time, me shëndet të mirë dhe forcë fizike e mendore. Do të rikthehem pa dyshim. Klub apo kombëtare? Të dyja janë opsione.”
Aktualisht në drejtimin e Fenerbahçes, Mourinho duket i vendosur që një ditë të rikthehet aty ku gjithçka nisi për të, për të dhënë kontributin e fundit si trajner në tokën portugeze.