Mourinho: Jam përshtatur në mënyrë perfekte me futbollin turk

19 gusht 2025 | 15:03

Jose Mourinho ka ndarë përshtypjet e tij për aventurën në Turqi dhe ka hedhur poshtë zërat që e lidhnin Fenerbahçen me një transferim të mundshëm të Neymar.

Në një intervistë për kanalin brazilian Sporty Net, trajneri portugez, i cili ka drejtuar më parë gjigantë si Inter, Chelsea, Porto, Manchester United, Tottenham, Roma dhe Real Madrid, u shpreh: “Jam përshtatur shumë mirë me futbollin turk. Viti i kaluar ishte një periudhë e mësimit të shpejtë, por tani e njoh më mirë mentalitetin dhe sistemin e futbollit këtu. Këtë vit ndihem shumë më i përgatitur”.

Mourinho theksoi gjithashtu pasionin e jashtëzakonshëm të tifozëve: “Ajo që të bie më shumë në sy është dashuria për futbollin. Njerëzit bëjnë shpejt idhuj, por po aq shpejt mund të të kthejnë krahët. Nëse nuk e përballon këtë presion, ndoshta nuk je me të vërtetë i dashuruar me futbollin”.

Sa i përket emrit të Neymarit, i cili ishte përfolur si një objektiv për Fenerbahçen, portugezi i mohoi kategorikisht thashethemet: “Ka fituar shumë në Arabinë Saudite… nuk ia vlen as të mendosh se sa zero ka tek rroga e tij. Në këtë fazë të karrierës, Neymar është i lirë të vendosë vetë se ku dëshiron të luajë”.

Në fund, “Special One” komentoi edhe për kombëtaren braziliane dhe emërimin e Carlo Ancelottit në bankinë: “Brazili ka mundësi të mëdha për Kupën e Botës së ardhshme. Me Ancelottin në krye, ata mund të zhvillojnë një projekt solid dhe konkurrues”.

Me këto deklarata, Mourinho tregon se është i fokusuar te sfida e tij në Turqi, duke mbyllur çdo hapësirë për spekulime rreth transferimeve të bujshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vetëm pak ditë më parë, CR7 i propozoi Georgina Rodriguezit…