
Mourinho në telashe, lojtarët e Benficës kapen nga gripi para derbit me Porton
Sonte me fillim nga ora 22:15, në “Do Dragão” do të përballen Porto e Fariolit dhe Benfica e Mourinhos.
Megjithatë, për trajnerin portugez këto nuk kanë qenë ditë të lehta, pasi ai është përballur me shumë mungesa në skuadrën e tij.
“Të Kuqtë” janë goditur nga një virus i fortë gripal, siç raporton media “A Bola”, që i ka mbajtur jashtë loje plot 13 futbollistë.
Për ndeshjen ndaj “bardhekaltërve”, “The Special One” ka vendosur të ftojë Ivan Lima, një sulmues anësor i lindur në vitin 2005 që luan me Benfica B. Për herë të parë në kampionat është ftuar edhe Leonardo Lopes, portier 17-vjeçar, i cili gjatë javës ka qenë pjesë e ekipit për ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Chelseat.
Në përballjen e Benficës kundër Portos do të mungojnë ende Manu Silva, Bah, Bruma dhe Nuno Felix.
Që nga momenti kur Mourinho mori drejtimin e Benficës, më 18 shtator, “Të Kuqtë” kanë fituar 3:0 ndaj AVS Futebol dhe 2:1 ndaj Gil Vicente. Në ndeshjen e dytë nën drejtimin e trajnerit portugez, “shqiponjat” barazuan 1:1 kundër Rio Ave.
Humbja e parë erdhi në Ligën e Kampionëve, në “Stamford Bridge”, ndaj Chelseat.
Në renditjen e kampionatit portugez, Benfica ndodhet në vendin e tretë, 4 pikë pas Portos që kryeson.