
MPB-ja nënshkruan kontratë për prodhimin e pasaportave, letërnjoftimeve dhe patentëshoferëve
Duket se problemit për furnizim me pasaporta, letërnjoftime e patentëshoferë i ka ardhur fundi.
Kjo pasi që rreth një muaj më parë shërbimi i lëshimit të pasaportave dhe letërnjoftimeve ishte ndërprerë për shkak të mungesës së materialit.
Ministria e Punëve të Brendshme të hënën ka arritur marrëveshje me një kompani për furnizim me material për prodhimin e këtyre dokumenteve.
Kështu është thënë në një përgjigje me shkrim për “Klankosova.tv”, duke bërë me dije se vlera e kontratës është mbi 4 milionë euro.
“Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar njoftimin për dhënie të kontratës me datën 12.12.2022 për furnizim me dokumente të identifikimit dhe mirëmbajtje të sistemeve dhe kjo kontratë pritet të nënshkruhet më së largu deri në javën e ardhshme. Vlera e kontratës që do të nënshkruhet është 4,021,164.00 euro me TVSh. Afati i kontratës do të jetë 12 muaj”, është thënë në përgjigjen e MPB-së.
Në media është raportuar se furnizimin me material do të bëjë kompania gjermane “Veridos GMBH”.