MPB-ja nis trajnimin për aplikimin e Ligjit për të Huajt
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme po zhvillohet trajnimi për zyrtarët që do të fillojnë punën në Gjilan, Prizren dhe Mitrovicën e Veriut, në kuadër të zbatimit të plotë të Ligjit për të Huajt që do të fillojë më 15 mars 2026.
Në hapje të trajnimit mori pjesë ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili u uroi mirëseardhje pjesëmarrësve dhe theksoi rëndësinë e këtij trajnimi për zyrtarët që do të fillojnë punën në zbatimin e dispozitave të këtij ligji.
Ministri Sveçla vuri në dukje se gjatë fazës informuese por edhe gjatë zbatimit të plotë të dispozitave ligjore, qasja e institucioneve tona do të jetë pozitive, me qëllim që t’u shërbehet qytetarëve dhe të huajve që vizitojnë Kosovën, në zbatimin e legjislacionit për të huajt- përmes procedurave të harmonizuara me standardet dhe praktikat evropiane që garantojnë siguri, transparencë dhe trajtim të barabartë pa dallim.

Në kuadër të këtij takimi, ministri Sveçla theksoi rëndësinë e aftësimit profesional të zyrtarëve, duke nënvizuar se sa më të përgatitur që të jenë, aq më shumë ne do të shërbejmë si model i zbatimit të ligjit, me ndikim pozitiv për të gjithë qytetarët dhe vizitorët që vijnë në Kosovë.
Ky trajnim po mbahet në kuadër të prioriteteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme për decentralizimin e shërbimit për aplikim për pajisje me lejeqëndrim pas përfundimit të kësaj periudhe informuese pas 15 marsit 2026 për zbatimin e Ligjit për të Huajt, si hap i parë i ofrimit të shërbimeve sa më pranë qytetarëve – drejt synimit për digjitalizimin e tyre në ardhmen.



