MPJ-ja: Ndërkombëtarët t’i bëjnë thirrje urgjente Serbisë të distancohet nga provokimet

26 mars 2018 | 21:01

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës (MPJ) ka reaguar pas arrestimit të shefit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, në veri të Mitrovicës.

MPJ-ja e ka vlerësuar si provokim hyrjen e Gjuriqit pa leje në Kosovë, në kohën kur Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë kanë hyrë në një fazë përfundimtare të dialogut për arritjen e një marrëveshjeve të detyrueshme ligjore/traktat paqeje ndërmjet dy vendeve. “Hyrja ilegale e zyrtarëve të lartë shtetëror serbë në territorin e Republikës së Kosovës është një provokim, tentim eskalimi i situatës në terren për të forcuar pozicionin në bisedime dhe nxitje e pastër e marrëdhënieve ndëretnike”, është thënë në reagimin e MPJ-së.

MPJ-ja ka vlerësuar se Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, kanë arritur marrëveshje, e cila specifikon në mënyrë të qartë rregullat dhe procedurat e vizitave të zyrtarëve të lartë nga të dyja shtetet respektive.

“Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se veprimi i sotshëm ilegal i zyrtarëve të lartë nga fqinji verior ishte shkelje e rëndë jo vetëm e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, por edhe e marrëveshjes së Brukselit. Ministria e Punëve të Jashtme mbetet e përkushtuar për dialog, promovim të mëtejmë të marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore, forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe përmirësimin e mirëqenies të të gjithë qytetarëve pa dallim etnie, por nuk do të heshtë dhe tolerojë sjellje të tilla. Ministria e Punëve të Jashtme thërret Shtetet e Kuintit, Bashkimin Evropian dhe komunitetin ndërkombëtarë në përgjithësi që t’i bëjnë thirrje urgjente shtetit serb të distancohet nga politikat dhe veprimet provokuese, që kanë synim përkeqësimin dhe destabilizimin e situatës”, është theksuar në reagimin e MPJ-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Norvegjia e ka mposhtur Kombëtaren e Shqipërisë në ndeshjen miqësore…