MPJD konfirmon arrestimin e Hazir Hazirit – bën thirrje për shmangie të udhëtimit drejt Serbisë

09 shtator 2025 | 20:53

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka konfirmuar arrestimin e qytetarit kosovar Hazir (Arif) Haziri nga autoritetet e Serbisë, më 8 shtator, në pikën kufitare në Merdarë, gjatë hyrjes së tij në territorin serb me automjet privat.

Menjëherë pas marrjes së informacionit, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka ndërmarrë hapa përmes kanaleve diplomatike për të siguruar informacione të sakta mbi ndalimin. Një kërkesë zyrtare i është adresuar autoriteteve serbe për të konfirmuar arrestimin dhe për të sqaruar arsyet ligjore të këtij veprimi.

Për rastin është njoftuar edhe Delegacioni i BE-së në Serbi, si dhe përfaqësuesit diplomatikë të vendeve të Quint-it. Në rast se ndaj z. Haziri vendoset masa e paraburgimit dhe iniciohet procedurë penale, Zyra Ndërlidhëse do të kërkojë vizitë zyrtare në qendrën e ndalimit.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimet përmes territorit të Serbisë, për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e tyre.

MPJD gjithashtu ka kërkuar reagim urgjent nga komuniteti ndërkombëtar lidhur me, siç thuhet në njoftim, praktikat represive të autoriteteve serbe, që shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe konventat për të drejtat e njeriut.

“Rritja e rasteve të ndalimeve dhe maltretimeve të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet serbe përbën shkelje të frymës së dialogut dhe marrëveshjeve të nënshkruara mes dy palëve,” thuhet në deklaratë.

Ministria është zotuar se do të vazhdojë të angazhohet me përkushtim për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës, kudo që ndodhen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Hetimet për shpërthimin që ndodhi më 30 prill në parkingun…