
MPJD lanson platformën online dedikuar mërgatës #shijokosovën
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka lansuar platformën Online dedikuar mërgatës ‘Shijo Kosovën’.
Në ceremoninë solemne, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz, ka thënë se kjo platformë mbi të gjitha është një përmbushje e një zotimi të institucioneve të Republikës së Kosovës ndaj mërgatës.
“Ajo është ndërtuar si rezultat i Dialogut me Mërgatën, bashkëpunimit me një numër të madh individësh dhe partneritetit me shoqërinë civile në Kosovë dhe jashtë vendit”, tha ministrja Gërvalla.
Në anën tjetër kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se diaspora vazhdon të mbetët prioritet për Qeverinë e Republikës së Kosovës, dhe se kontributi i mërgatës ndjehet në të gjithë sektorët.
Ai tha se platforma “Shijo Kosovën”, është bashkudhëtar i rëndësishëm i qëndrimit të diasporës në Kosovë, gjatë tërë vitit.
Programi kombëtar “Shijo Kosovën” filloi në vitin 2022 si nismë e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) dhe synon të fuqizojë lidhjen e bashkatdhetarëve me vendin e tyre, Kosovën, në bashkërendim me programin qeveritar për angazhimin e diasporës.