
MSh-ja: Mos bini pre e mashtrimeve të ‘recetave’ për trajtimin e Covid-19
Ministria e Shëndetësisë (MSh) ka reaguar ndaj “recetave” që së fundmi kanë filluar të shpërndahen nëpër rrjetet sociale për trajtimin në shtëpi të personave të prekur me Covid-19.
Me këtë rast, MSh-ja u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e publikimeve të tilla.
“Jemi dëshmitarë që së fundi nëpër rrjetet sociale (jo vetën në nivel lokal) po shpërndahen me të madhe të ashtuquajtura ‘receta’ të ndryshme për trajtimin e personave të prekur nga Covid-19”.
“Duke qenë që ‘recetat’ e tilla provokojnë edhe reagime të ndryshme dhe ngjallin edhe shqetësime, ju lusim që të mos bini pre e publikimeve të tilla dhe për çfarë do shqetësimi lidhur me Covid-19 të kontaktoni mjekun tuaj më të afërt dhe të përcillni vetëm këshillat zyrtare, të cilat publikohen nga Ministria e Shëndetësisë, IKShPK, profesionistët kompetentë shëndetësor dhe institucionet kredibile dhe të konfirmuara”, është thënë në reagimin e MSh-së, raporton “Epoka e re”.