MTI-ja: Bizneset t’i vendosin flamujt që tregojnë origjinën e mallit

17 janar 2019 | 16:49

Zëvendësministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Arbëreshë Krasniqi, bashkë me kryeinspektorin e MTI-së, Lulzim Syla kanë vizituar të enjten disa markete për të parë nga afër zbatimin e udhëzimit administrativ për vendosjen e flamujve që tregon origjinën e mallit.

Zëvendësministrja Krasniqi ka theksuar se qëllimi i këtyre vizitave është sensibilizimi i bizneseve që ta zbatojnë udhëzimin administrativ dhe të fillojnë me vendosjen e flamujve. Ajo u shpreh se qytetarët e kanë pritur shumë mirë vendosjen e flamujve që tregojnë origjinën e mallit.

“Ne sot vizituam disa markete në Prishtinë. Arsyeja e vizitës është vendosja e flamujve, që është përcaktuar me udhëzim administrativ të MTI-së, i cili ka hyrë në fuqi më 29 dhjetor të vitit 2018, që i obligon të gjithë operatorët ekonomikë ta zbatojnë. Inspektuam sot dhe pamë se edhe vetë qytetarët kryesisht bizneset janë të interesuar ta zbatojnë këtë udhëzim. Ne e dimë se moszbatimi i udhëzimit administrativ është shkelje ligjore ku parashihen edhe dënimet”, ka thënë Krasniqi.

Zëvendësministrja ka treguar edhe benifitet që ka ky udhëzim administrativ për qytetarët.

Ajo ka theksuar se konsumatorët do të kenë lehtësim gjatë blerjes së produkteve që u nevojiten në përditshmëri.

Më tej, Krasniqi ka shtuar se interesimi i MTI-së për të monitoruar dhe inspektuar ecurinë e tij është i madh. “Inspektori po e bën punën e vet dhe do të vazhdojë edhe më tutje, e që konsideroj se kjo çështje do të ndikojë pozitivisht në rregullimin e tregut në Republikën e Kosovës dhe njëkohësisht do ta bëjë më shpejt të kuptueshme dhe më të saktë se çka po blejnë konsumatorët. Ky është edhe qëllimi i vendosjes së flamujve, kjo vlen për të gjitha bizneset nuk ka ndasi”, ka thënë zëvendësministrja Krasniqi.

Udhëzimi administrativ ka hyrë në fuqi më 29 dhjetor të vitit 2018, ku i obligon të gjithë shitësit që në anën e majtë të çmimit ta vendosin edhe flamurin e atij shteti se nga importohet produkte për ta treguar origjinën e mallit.

/Epoka e re/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të gjitha bizneset nga Kosova që shesin mallra “online” mund…