
MTI-ja merr vendim të ri për bizneset e gastronomisë
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka bërë të ditur se me qëllim të mbrojtjes së jetës së qytetarëve nga pandemia Covid-19, si ministër i Tregtisë dhe Industrisë, ka nënshkruar një Urdhëresë për aplikimin e masave për parandalimin e luftimit të Covid-19, në sektorin e gastronomisë.
Siç ka bërë të ditur Krasniqi, përmes kësaj urdhërese ka kërkuar zbatimin e masave që dalin nga Plani Kombëtar i Reagimit ndaj këtij virusi.
“Përmes kësaj urdhëresa kam kërkuar zbatimin e masave që dalin nga Plani Kombëtar i Reagimit ndaj këtij virusi, rekomandimeve që janë dhënë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Manualin e Ministrisë së Shëndetësisë. Urdhëresa duhet të zbatohet nga të gjitha bizneset e gastronomisë dhe Inspektorati i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në bashkëpunim me inspektoratet tjera do të jenë në terren çdo ditë për zbatimin e masave për tu mbrojtur nga pandemia”, ka shkruar Krasniqi në profilin e vet në “Facebook”.
Ndër të tjera në këtë urdhëresë thuhet që distanca nga ulësja në ulësen prapa shpinës nëpër lokale, duhet të jetë jo më pak se 1.5 metra, derisa distanca në mes të ulëseve brenda tavolinës duhet të jetë së paku 1 metër.
Në një tavolinë nuk lejohen më shumë se 4 persona, përpos nëse ata janë anëtarë të një familje.
Po ashtu aty potencohet se nëpër secilin lokal duhet të ketë dezinfektues të qasshëm lehtë nga klientët, stafi duhet të jetë i pajisur me maska mbrojtëse dhe nuk lejohet shërbimi në banak.
Sipas kësaj urdhërese, servimi i tavolinave duhet të bëhet bashkë me shërbimin e porosisë dhe menyja duhet të jetë për një përdorim ose të jetë e tillë që të mund të dezinfektohet pas çdo porosie dhe të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e rregullt e lokaleve dhe hapësirave të punës.
Po ashtu, në çdo lokal duhet të publikohet manuali për mbrojtje nga përhapja e virusit.
https://www.facebook.com/MTI.RKS/photos/a.334504266894385/1238844503127019/?type=3
(A. M / Epoka e re)
https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=2535481720002570&id=1913667695517312