
“Mu duk sikur isha…” Melania Trump rrëfen takimin e parë me presidentin amerikan (FOTO)
Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Melania Trump, ka tërhequr vëmendjen e publikut pasi ndau një fragment nga libri i saj “Melania”, i publikuar më 8 tetor 2024, i cili u bë menjëherë bestseller në Amazon dhe “New York Times”.
Në një video të postuar në platformën X, bashkëshortja e presidentit amerikan kujton momentin e parë kur takoi Donald Trump, duke ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale.
Takimi ndodhi gjatë Javës së Modës në Nju Jork në vitin 1998, në klubin Kit Kat, ku Melania ndodhej pas një udhëtimi të lodhshëm nga Parisi.
Me nxitjen e një shoqeje, ajo pranoi të dilte atë mbrëmje, pa e ditur se do të përballej me një takim që do t’i ndryshonte jetën.
Në libër, Melania rrëfen se Trump i bëri menjëherë përshtypje me sharmin dhe vëmendjen që i kushtoi.
Megjithëse ishte i shoqëruar nga një grua tjetër atë natë, ajo ndjeu një lidhje të menjëhershme:
“M’u duk sikur isha në qendër të botës së tij”.
Postimi i saj ngjalli emocione dhe diskutime në rrjet, për sinqeritetin e rrëfimit dhe mënyrën si përshkruan fillimin e marrëdhënies me Donaldin.
Në të njëjtën kohë, ka rifilluar të qarkullojë edhe një intervistë e saj nga viti 1999, ku Melania iu përgjigj kritikëve që aludonin se lidhja e saj me Trump ishte për interesa materiale.
“Nuk mund të përqafohesh apo të flasësh me një shtëpi apo një makinë. Nëse je me dikë, duhet të ndihesh e plotësuar”, kishte deklaruar ajo në atë kohë.
Melania dhe Donald Trump u martuan në vitin 2005 dhe janë prindër të një djali, Barron Trump, i lindur në vitin 2006. Postimi i saj i fundit shihet si një mënyrë për të riafirmuar lidhjen e tyre dhe rolin e saj në jetën publike, në një kohë kur interesimi për familjen Trump mbetet i lartë.