Muajt vendimtar, mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së nis me prova në shtator

28 korrik 2025 | 20:31

Trupi gjykues ka vendosur të aprovojë kërkesën e ekipeve mbrojtëse, të ish krerëve të UÇK-së, që po gjykohen në Hagë që në shtator të nis paraqitja e provave nga ta. Nga shtatori e tutje, do të jenë muaj vendimtar të këtij procesi që tash e dy vite po zhvillohet në Hagë.

Nga sot e deri në gusht Dhomat e Specializuara për Kosovën, do jenë në pushim veror.

Por ndonëse kthimin në punë, të njëjtit do e kenë më 15 gusht, procesi gjyqësor ndaj ish krerëve të UÇK-së, që po gjykohen në Hagë, nuk pritet të rifillojë të paktën deri në shtator.

Pas kërkesës së ekipeve mbrojtëse, që paraqitja e provave të nis më 15 shtator, trupi gjykues ka lëshuar urdhër me të cilin ka pranuar këtë, teksa është treguar se më 19 gusht pritet të mbahet një konferencë përgaditore për mbrojtjen.

“Më 25 korrik 2025, Trupi Gjykues II lëshoi urdhër me të cilin caktoi 15 shtatorin 2025 si datë të synuar për fillimin e paraqitjes së provave nga Mbrojtja. Data do të konfirmohet në konferencën përgatitore për Mbrojtjen që do të mbahet më 19 gusht 2025. Paneli lëshoi gjithashtu edhe urdhra të mëtejshëm në lidhje me aspekte si listat e rishikuara të provave materiale dhe afatet për nxjerrjen e provave. Hollësitë përfshihen në vendimin e plotë, të cilin mund ta gjeni këtu.”

Me nisjen e paraqitjes së provave nga ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, nis edhe periudha për përfundimin e këtij procesi gjyqësor.

“Procesi gjyqësor në Dhomat e specializuara në Hagë është në një fazë të rëndësishme të procesit ku rolin determinues do e ketë pala mbrojtëse me paraqitjen e dëshmitarëve dhe vet provave në këtë drejtim sic është paralajmëruar dy prej ish krerëve të Uçk-së, z.Thaçi dhe z. Krasniqi do paraqesin dëshmitarë, sipas dinamikës dhe numrit e dëshmitarëve që janë paralajmëruar natyrisht pres që të kemi përfundim të procesit brenda këtij viti, ose fillimin e vitit të ardhshëm”, ka thënë Ardian Bajraktari – Avokat.

Në anën tjetër, nga njohësit e drejtësisë puna e gjykatës, në këtë rast që është më i rëndësishmi që po zhvillohet, nuk është duke u parë me sy të mirë.

“Një mori e veprimeve kundërligjore që e kanë përkuar me këtë ecuri gjyqësore janë evidente është e paparë ligjerisht dhe në kundërshtim edhe me parimet themelore që në një procedurë, në një gjykatore në një rast të dëgjohen në të njëjtën kohë 2 dëshmitarë në rastin konkret që janë dëgjuar dy ekspert… Ka pasur edhe shkelje të tjera që i kemi thënë gjatë këtyre kohëve dhe nuk e di në bazë të këtyre veprimeve një gjykate e tillë do e merr një vendim të drejtë”, ka thënë Meshar Selimaj – Avokat.

Pas përfundimit të paraqitjes së provave nga ana e zyrës së prokuroorit të specializuar, janë dëgjuar edhe disa dëshmitarë të propozuar nga ana e mbrojtësit të viktimave.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë nën masën e paraburgimit që nga viti 2020 nën akuzat për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 18 maj 2022, nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë u shpallën fajtorë Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati, lidhur me veprat penale të pengimit të personave zyrtarë dhe pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vite e gjysmë burgim, ku iu llogaritej koha e kaluar në paraburgim, si dhe me nga 100 euro gjobë.

Pas ankesës në Apel, Kolegji i Gjykatës së Apelit nxori aktgjykim lidhur me ankesën e dy të dënuarve nga shkalla e parë, ku u konfirmuan shumica e veprave për të cilat ishin dënuar. Por, dënimi u zbrit në 4 vite e tre muaj dhe iu konfirmua dënimi me 100 euro gjobë. Megjithatë, kërkesat për mbrojte të ligjshmërisë në këtë rast u refuzuan nga Supremja dhe Kushtetuesja e Speciales.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinajn, akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës

Gjatë vitit 2023, është marrë vendim për modifikim të dënimit ndaj Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit. Lirimi i Gucatit u bë më 18 tetor, ndërsa i Haradinajt më 14 dhjetor 2023.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, paralajmëroi se më 7 gusht, në orën 17:00, do të organizohet në Prishtinë një protestë gjithëpopullore në përkrahje të ish-luftëtarëve që po mbahen në paraburgim në Hagë.

Hysni Gucati nga kjo organizatë , tha në konferencë për media se do të organizojmë protestë për shokët e tyre.
“Do të protestojmë kundër Dhomave të Specializuara që po shkelin gjithë të drejtat janë dy raste që gjykata po përdor njerëz për të ndikuar në proces duke përgjuar shokët tanë”, tha Gucati.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazetari Shkumbin Kajtazi ka thënë se shteti qëllimisht është duke…