Ish-anëtari i kryesisë së Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Muhamet Hamiti, ka bërë thirrje për ndryshime në drejtimin e partisë dhe zgjedhjen e një lidershipi të ri.
Në reagimin e tij në “Facebook” , Hamiti ka vlerësuar si të dobëta rezultatet zgjedhore të LDK-së nën udhëheqjen e Lumir Abdixhiku, duke i cilësuar ato si “katastrofale” dhe duke theksuar se partia ka nevojë për një strategji të re për të rifituar besimin e qytetarëve.
Ai ka argumentuar se LDK-ja ka hyrë në një trajektore rënieje prej momentit kur, sipas tij, ka filluar t’u ngjajë partive të tjera rivale, ndërsa ka kritikuar edhe qeverisjen e Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, duke e cilësuar atë si populiste.
Sipas Hamitit, LDK-ja duhet të organizojë zgjedhje të brendshme dhe të nxjerrë një lidership të ri që do ta udhëheqë partinë në përpjekjet për rikthimin e mbështetjes qytetare.
Postimi i plotë:
Për herë të fundit Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) i ka fituar zgjedhjet nacionale në Kosovë në vitin e largët 2004, siç i kishte fituar të gjitha zgjedhjet paraprake nën drejtimin e liderit historik të LDK-së dhe të Kosovës, Presidentit Ibrahim Rugova, i cili ndërroi jetë në janar të vitit 2006. Nën drejtimin e tre kryetarëve të LDK-së mbas Rugovës, Fatmir Sejdiut, Isa Mustafës dhe Lumir Abdixhikut, LDK-ja ka dalë e dyta, në kohët e fundit e treta. Prej vitit 2001, në katër palë zgjedhje ka dalë e treta në zgjedhje. Ky është rezultat katastrofal për partinë e Ibrahim Rugovës.
Mbas përçarjeve në gjirin e saj, rëniet e mëdha të LDK-së kanë ndodhur më 2007 dhe më 2021. Një ringritje të shënueshme, por jo të mjaftueshme për të dalë e para në zgjedhje, LDK-ja e ka pasur më 2019. Erdhi pastaj dështimi i madh i 2021-shit, prej të cilit s’po ia del të ringrihet, për të keqen e vet dhe të Kosovës.
Këto janë evidenca për performancën e LDK-së që shumica e anëtarëve të saj e shohin të pakënaqshme. Brenga e tyre është fati i LDK-së dhe i Kosovës, e cila i ka pasur punët më mirë në rrafsh demokratik kur vendi ynë ka ndjekur politika rugoviste: të matura, të urta, por të qëndrueshme, konsistente, për zhvillim të brendshëm shoqëror dhe ekonomik, sundim të ligjit, konsolidim të demokracisë dhe të shtetit, dhe orientim të palëkundur euro-atlantik. Të gjitha këto i
mungojnë Kosovës sot.
Është koha e fundit tash që LDK-ja të bëjë çmos që të ringrihet. Për këtë i duhet mendim për strategjinë që do të ndjekë për ta rifituar besimin e humbur të qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë rënë pre e populizmit, për çka po paguajnë çmim të lartë. Prej pavarësisë, Kosova i ka punët më së keqi sot, në 5-6 vitet e fundit, prej kur sundon lideri populist i Vetëvendosjes majtiste, Albin Kurti.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka nisur rënien dhe ka mbetur në këtë trajektore prej kur ka nisur t’u ngjajë partive të tjera, rivaleve të veta.
Prandaj, sot LDK-ja duhet ta rimendojë pozicionin e vet duke ruajtur parimet themelore të partisë së djathtë nacional-demokratike, kundër tiranisë së majtë komuniste, më saktë duke u rikthyer në vlerat e veta tradicionale të partisë rugoviste, sigurisht në rrethana të reja. Dimensioni etik në politikë është kryesori – ky është rugovizëm në thelb – dhe po i mungon klasës politike në Kosovë. Kërkohet unitet demokratik mbi baza të politikave të përpunuara në përballje me realitetin e sotëm.
Alfa dhe omega e demokracisë është besimi. Për ta kthyer besimin e anëtarëve dhe simpatizantëve të vet sot dhe të qytetarëve të Kosovës nesër, e para punë që duhet të ndodhë në LDK janë zgjedhjet e brendshme, konsolidimi i plotë i saj, që do të nxjerrë lidership të ri që, mbi platformë gjithëpërfshirëse, të nisë rrugën e vështirë dhe të gjatë të rimëkëmbjes së LDK-së dhe të Kosovës.