Muhamet Hamiti: Trashëgimia e Ibrahim Rugovës është shpërfillur, Kosova sot më e polarizuar dhe e izoluar
Ish-ambasadori i Kosovës në Britaninë e Madhe dhe zyrtari i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), profesori universitar Muhamet Hamiti, ka kujtuar 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Në një reagim publik, Hamiti ka theksuar se trashëgimia politike dhe shtetformuese e Rugovës është e gdhendur në themelet e shtetit të Kosovës, por sipas tij, udhëheqësit e viteve të fundit e kanë shpërfillur këtë trashëgimi.
Ai ka vlerësuar se si pasojë e këtij neglizhimi, Kosova sot ndodhet në një gjendje më të rëndë politike dhe shoqërore, e polarizuar thellë brenda vetes dhe me marrëdhënie të lëkundura me miqtë dhe aleatët euro-atlantikë.
Hamiti ka përmendur si shqetësuese faktin se Kosova është prej dy vjetësh e gjysmë nën sanksione të Bashkimit Evropian, ndërsa dialogu strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është pezulluar që nga shtatori i vitit 2025.
Sipas tij, një situatë e tillë do të kishte qenë e paimagjinueshme jo vetëm gjatë kohës së Presidentit Ibrahim Rugova, por edhe në vitet pas vdekjes së tij, deri para udhëheqjes së pesë viteve të fundit.
Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, ka ndërruar jetë më 21 janar 2006, ndërsa këtë vit shënohet 20-vjetori i vdekjes së tij.



