Muhamet Hyseni, “Ylli i Javës” në Superligë
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, vazhdon ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në Superligën e futbollit kosovar.
Për javën e katërmbëdhjetë të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë futbollistit të KF Llapit, Muhamet Hyseni, i cili ka pasur një paraqitje individuale shumë të mirë për skuadrën e tij për 81 minuta të ndeshjes, duke shënuar dy gola dhe duke asistuar në golin e katërt, në fitoren e rëndësishme të skuadrës së tij kundër FC Ballkanit, 2:4 në Suharekë.
Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.
Pasi ka marrë këtë çmim, Hyseni është shprehur i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës.
“E kemi pasur një ndeshje të vështirë ndaj FC Ballkanit në Suharekë; megjithatë, jemi të lumtur që e kemi përgatitur ndeshjen mirë dhe kemi shënuar fitore. Klubi ynë nuk e ka nisur kampionatin në mënyrën më të mirë, por e kemi rimarrë formën dhe tashmë nuk po mungojnë as rezultatet. Personalisht, jam i lumtur që jam rikthyer në Superligë, aty ku edhe e kam lënë, duke shënuar gola dhe duke u ndier mirë që po e ndihmoj ekipin drejt qëllimit për të qenë në pjesën e epërme të tabelës, që është edhe synimi ynë. Falënderoj bashkëlojtarët dhe stafin për ndihmën e dhënë që të bëjmë diferencën”, ka thënë ai për faqen zyrtare të FFK-së.



