Muhamet Mustafa: Kosova po tejkalon tiparet e një shoqërie të pazhvilluar

17 shkurt 2021 | 14:15

Eksperti i ekonomisë, Muhamet Mustafa, ka folur për progresin dhe regresin ekonomik gjatë 13 viteve të pavarësisë së Kosovës.

Në një bisedë për gazetën “Epoka e re” ai ka thënë se për të adresuar sfidat ekonomike, Kosova do të duhej të kishte një rritje ekonomike 6-7 për qind, megjithatë sipas tij, marrë globalisht Kosova po e tejkalon tiparin e një shoqërie të pazhvilluar.

“Marrë globalisht Kosova tash po tejkalon ngadalë e me vështirësi tiparet e një shoqërie të pazhvilluar. Sipas kritereve të Bankës Botërore, Kosova po hyn në grupin e vendeve me të ardhura mesatare të larta. Pra me një GDP diku mbi 4 000 dollarë për banor. Por në matriksin social mbesin shumë kundërthënie, të një shoqërie që ka vuajtur historinë e vështirë dhe pas çlirimit edhe luftën primitive politike që injoron interesat madhore nacionale”, u shpreh ai.

Mustafa ka thënë se zhvillimet ekonomike pas shpalljes së pavarësisë, janë karakterizuar me një rritje ekonomike të vazhdueshme, por të pamjaftueshme për të krijuar vende të reja të punës që i kërkojnë kontingjentet e reja që hyjnë në tregun e punës.

“Rritja ekonomike do të duhej të sillej 6-7 për qind për të adresuar këto probleme, ndërkaq ajo që kemi arritur këto vite të pavarësisë ka qenë të shumtën e rasteve 3-4 për qind”, u shpreh ai.

Ai ka deklaruar lufta për pushtet politik, keqmenaxhimi me ndërmarrjet publike dhe korrupsioni janë ndër faktorët të cilët kanë ndikuar që në Kosovë të ketë pak investime të huaja.

“Dobësitë në qeverisjen makroekonomike, dobësitë e klasës politike të kapluar me luftën primitive partiake për pushtet, qeverisja e keqe e ndërmarrjeve publike dhe pronës publike dhe korrupsioni i lidhur me to dhe paranë publike, kanë ndikuar që Kosova të investojë më pak se do t’i duhej, për këto 13 vite diku 7-8 miliardë euro”, u shpreh ai.

Ndërkaq, si faktorë që kanë ndikuar në rezultatet pozitive në ekonomi, Mustafa ka numëruar politikat tatimore dhe investimet në infrastrukturë, edhe pse vërejtje ka dhënë për koston e lartë të tyre.

“Megjithatë, duke filluar nga viti 2015 ka vazhduar një kujdes më të mire ndaj politikave dhe strategjive industriale që duhet të rrisin ofertën vendore, rrisin eksportet dhe krijojnë më shume vende pune. Pakot fiskale kanë dhënë tanimë disa rezultate pozitive. Kur bëjmë bilancin 13-vjeçar nuk duhet harruar edhe të arriturat në zhvillimin e infrastrukturës, sidomos asaj rrugore, që kanë krijuar disa parakushte për zhvillim të mëtejme. Mos të harrojmë se ky cikël investimi që filloi pas pavarësisë, ishte vonuar së paku 20 vite. Mirëpo ndërtimi kësaj infrastrukture konsiderohet se i ka kushtuar shume shtrenjtë buxhetit (ndoshta rreth 30 për qind më shumë sesa do të duhej) dhe ka reduktuar fondet buxhetore për arsim dhe shëndetësi”, u shpreh Mustafa.

Sipas tij, marrë globalisht Kosova po tejkalon tiparin e një shoqërie të pazhvilluar. “Ndaj në duhet të shohim rrugën e kaluar, të nxjerrim mësimet nga pësimet dhe me politika e qeverisje të përgjegjshme ta vejmë vendin tonë në radhë të shoqërive të zhvilluara që ofron shans dhe mundësi të barabarta për qytetarët e saj, sidomos të rinjtë dhe kjo do t’i japë kuptimin lirisë dhe horizonteve të zgjerimit të saj!”, ka thënë eksperti i ekonomisë, Muhamet Mustafa.

(A. MAVRAJ / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja e njohur, Fjolla Morina e ka shijuar në maksimum…