Muharremaj i AAK-së: S’është koha për zgjedhje

11 nëntor 2020 | 08:25

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), pjesë e qeverisë së kryeministrit Avdullah Hoti, po e konsideron të papërshtatshme këtë periudhë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Anëtari i kryesisë i kësaj partie, njëherësh kryetar i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se nuk është koha për zgjedhje ngaqë vendi është duke u përballur me pandeminë. “Po besoj se nuk është koha për zgjedhje, pasi kemi një sfidë shumë të madhe përpara”.

Muharremaj, sa i përket Gjykatës Speciale, tha se kjo çka po i ndodh Kosovës është e padrejtë, sepse është duke u bërë luftë ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së. “Kjo çka po i ndodh Kosovës nuk kisha dashur t’i ndodhë, sepse për Kosovën është duke u bërë një luftë e padrejtë ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së, ndaj shtabit për arsye se ne kemi bërë një luftë të drejtë”. “Kështu që për mua kjo është krejt politikë dhe besoj që shumë shpejt të gjithë këta që kanë shkuar duke filluar nga kryetari i shtetit besoj që kanë për tu kthyer të jetojnë të lirë sepse nuk kanë bazë ligjore”, ka thënë ai.

Sipas Muharremajt, e drejtë e çdo grupi parlamentar është ta ketë kandidatin për kryetar të shtetit. Ai beson se Ramush Haradinaj është personi “ideal” për kryetar të shtetit. Muharremaj shtoi se është më mirë të vazhdojë kjo qeverisje dhe të bashkohet edhe PDK-ja, raporton EO. “Unë besoj se Ramush Haradinaj i plotëson të gjitha kushtet të jetë kryetar shtetit, i cili ka pasur shumë sfida para vetes dhe i ka tejkaluar dhe po besoj që këtë sfidë në bashkëpunim me të gjitha partitë politike duhet të merren vesh dhe ta tejkalojnë këtë sfidë. Edhe PDK-ja do të mendojë gjërat që janë më të mira.

Për mu është me rëndësi interesi i qytetarëve dhe jo i partive në këtë moment. Për ta tejkaluar këtë sfidë kishte me qenë mirë të bashkohet edhe PDK-ja dhe mandej ka mundësi të organizohen zgjedhje të lira dhe demokratike. Nuk është koha për zgjedhje sepse jemi duke u përballur me pandeminë që është sfidë shumë e madhe për neve. Për mu mendoj që është mirë të vazhdojë kjo qeverisje dhe të bashkohet edhe PDK-ja, t’i kryejmë disa probleme që i kemi para vetes, ta kryejmë procesin e Hagës. Nuk janë duke u sulmuar individë, por është duke u sulmuar shteti për arsye se kanë qenë ata që kanë drejtuar shtetin për arsye se UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë”, ka thënë Muharremaj.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Britania e Madhe është gati ta fillojë vaksinimin kundër koronavirusit…