
Muhaxheri: Jetët e humbura nuk mund të kthehen, tjerat rregullohen
Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka deklaruar se është tragjike rasti që ka ndodhur në mbrëmjen e së shtunës, ku si pasojë e vërshimeve kanë humbur jetën një nënë bashkë me fëmijën e saj 5-vjeçar.
Derisa ka thënë se tanimë gjendja është e qetë, ai është shprehur se sasia e reshjeve të shiut të djeshëm nuk ndodhur për rreth 50 vjet.
“Përveç këtij rasti tragjik që kanë humbur nëna me fëmijë, këto tjerat janë gjëra që rregullohen, por këto dy jetë nuk mund të kthehen. Ka ra shi shumë kohë të gjatë dhe mbrëmë ka qenë sasi e reshjeve që nuk ka ndodhur ndoshta për 50 vjet. Duhet t’i bëjmë sajimet dhe të shohim çfarë do të bëjmë”, ka thënë Muhaxheri për “KP”.
Mbrëmë, një grua dhe djali saj 5-vjeçar kanë vdekur si pasojë e vërshimeve në Pejë. Policia ka njoftuar se pas vdekjes së 5-vjeçarit, në lagjen “Asllan Qeshme” është gjetur e vdekur edhe nëna e tij, e cila ishte e zhdukur.