Mujë Krasniqit dhe 36 të rënëve

13 dhjetor 21:56

TAHIR DESKU

BALADË

Mujë Krasniqit dhe 36 të rënëve
Në Gorozhub, më 14 dhjetor 1998

Kush është ai që zbret nga mali
Është Mujo Komandanti
Është ai, Muja vetë, me njëqind e dyzet
Nga po vjen, nga Tropoja a nga Vlora?
Kah vjen ai shkrinë bora
Vjen në borë vjen në shi
Nga Shqipëria në Shqipëri

As hëna nuk kishte dalë
Rrëze bjeshke atë natë
Vetëm terri shtrihej si gjarpër i zi
Terri që ndante atdheun në dysh
Atdheun e moçëm nën qiellin gri
Dhe pjesën tjetër nën shi… nën shi…

E rruga ishte e largët tek zhdukej në pafundësi
Ai vështron fushat e paskaj të Kosovës
E mendon për zogjtë:
Nuk ka vend më t’bukur fluturimi
Kur flet me lumenjtë thotë:
Është vend i papushtuar
Kur numëron plagët shton:
Vetëm vdekja ia shton bukurinë lirisë

Pastaj zbardh dita e plogësht
Dhe ëndërr e keqe numëron 36 herë
Dhembja shtron gjakun përdhe
Vashat shamizeza ulur nën një breg
Kanë ndalur pranverën e bimët që mbijnë
Diku në një shteg… diku në një rimë

Ai sërish ngrihet dhe nis këngën e moçme
Që këndohej në anët tona:
Nuk po mundem or shokë me fol
Se m’ka ra do gjak në gojë…

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Britani vazhdojnë festimet e çmendura. Të rinjtë dhe të…