Mulliqi: Shkatërrimi i ëndrrës së Vokrrit të luante për Juven

02 qershor 2023 | 19:02

Kujtime nga Haqif Mulliqi

Kjo foto me Fadil Vokrrin është bërë në janar të vitit 1988 në Novi Sad (Vojvodinë). Me Fadilin isha njohur përmes  gruas së tij, Editës, të cilën e kisha shoqe të klasës për katër vjet në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë. Edita ishte një mike e jashtëzakonshme imja.

Në kohën e “shërbimit ushtarak” (nga qershori i vitit 1987), unë isha diçka si “teknik medicinal”, ndërsa Fadili, që kishte ardhur në dhjetor të po atij viti, ishte në ushtrime për “komunikim dhe lidhje”.

Kjo ka qenë koha më e vështirë për të shërbyer në atë armatë e cila “fytyrën” e saj e shpërfaqi vetëm pas 2-3 vitesh në luftërat e ish-Jugosllavisë, ngase, vetëm 3 muaj më parë kishte ndodhur i ashtuquajturi “rast i Paraqinit”, pas të cilit, jeta për ushtarët shqiptar u bë ferr i vërtetë.

Mirëpo, unë dhe Fadili u bëmë të pandarë për 6 muaj të plotë. Fadili, atëbotë, ishte shumë i mërzitur ngase, për shkak të atij “shërbimi” të kotë ushtarak, e kishte humbur kalimin nga Partizani i Beogradit në Juventus. Kjo kishte qenë ëndrra e tij.

“Nuk jam mërzitur për paratë që mu ofruan, por për transferin tek Juve”, më thoshte, shpesh Fadili.

Ai ishte vërtetë shumë iverzitur.

Aty, në Petrovaradin, afër kështjellës austrohungareze të Novi Sadit, ka qenë një kafene e rakisë, në të cilën ushtarëve u ishte rekomanduar që të mos hynin, ngase ishte vend ku rrinin çetnikë – siç thoshin eprorët, dhe mund të provokoheshin prej tyre. Mirëpo, sa herë që Fadili “ikte” nga kazerma ku shërbente, për të ardhur në “stacionar” shëndetësor, ne shkonim mu në atë kafene dhe pinim ndonjë 4 a 5 orë, ngase e dinim se, atë vend, nuk e kontrollonte policia ushtarake.

Serbët, prezent aty vazhdonin të pinin dhe të këndonin këngë nacionaliste, por Fadilit dhe mua, vazhdinisht na e dërgonin nga një a dy pije. Thjeshtë, Fadili ishte legjendë. E respektonin edhe armiqtë,  edhe pse, natyrisht,  e dinin se ishte shqiptar.

Atë e donin aq shumë njerëzit, sa që, pjesa më e madhe e elitës, së estradës dhe e sportit të ish-Jugosllavisë, vinin për ta vizituar, vazhdimisht.

Fadili ishte një dhe i paarritshëm dhe i atillë do mbetet për mua përgjithmonë.

Një legjendë që jeton!

Prehu në paqe, miku im!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Serie A shpalli sot më të mirët e sezonit 2022/2023,…