MUNDËSITË E NACIONALIZMIT SHQIPTAR NË TË ARDHMEN

28 korrik 2025 | 19:40

Një gjë mbetet e sigurt: në një botë të dominuar nga nacionalizmi, siç është dominimi i sotëm, nëse nuk keni një projekt nacionalist, keni vendosur të nënshtroheni. E dyta, duhet të mbetet e qartë se pa nacionalizëm, qoftë dhe vetëm kulturor e liberal, nuk ka besnikëri as brenda vetë kombit. Poashtu mungesa e nacionalizmit brenda shtetit, e nxitë edhe keqqeverisjen, korrupsionin dhe tradhtinë.

Milazim KRASNIQI

Botimi i këtij libri në vitin 2014, dy vjet pas shënimit të njëqind vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe gjashtë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, i tejkaloi shpejt pritjet e mia për të, si një nga librat standard brenda interesimeve të mia albanologjike. Interesimi i shtuar mundësoi botimin e dytë të librit në vitin 2016. (Ndërsa botimi në bullgarisht në vitin sikur 2015 paralajmëroi edhe komunikimin e tij me lexues jashtë botës shqiptare, gjë që ngeci më vonë.) Interesimi për këtë libër mund të jetë i nxitur edhe nga mungesa e dukshme e literaturës mbi nacionalizmin shqiptar. Prandaj, ftesa nga botuesi Adnan Ismaili, që të përgatisim një botim të tretë më erdhi si një ftesë në festë, i bindur se libri ende ka mesazhe të dobishme për lexuesit e interesuar.

Gjendja e kombit shqiptar e rrjedhimisht edhe e nacionalizmit shqiptar, sot është shumë më e keqe se sa më datën 16 maj 2013, kur e paskam shkruar parathënien për botimin e parë. Në këto vitet e fundit janë shpalosur disa projekte antishqiptare me virulencë të lartë, të cilat ende nuk kanë marrë përgjigjen adekuate nga albanologjia e as nga kombi shqiptar. Ndër projektet e tilla antishqiptare janë: ideja për formimin e “kombit kosovar”, ideja për formimin e shtetit bektashi dhe ideja e të ashtuquajturës “Lëvizja e Deçanit”, për brakisjen e fesë islame dhe kalim në krishterim. Këtu nuk është rasti të trajtohen, pasi i kam trajtuar në disa raste të tjera dhe ato kontribute do t’i shtohen si shtojca 5 këtij botimi.

Këtu është rasti vetëm të thuhet se rrezikshmëria e ideve të këtilla antikombëtare është e lartë vetvetiu, sepse synon të fusë përçarje nga brenda dhe ta defaktorizojë kombin shqiptar në Ballkan e në Europë. Rrezikshmëria e tyre bëhet edhe më e madhe ngase në kushtet e një letargjie që ka pllakosë kombin shqiptar, reagimi, refuzimi e rezistenca ndaj këtyre ideve morbide është mjaft e dobët, gati e pavërejtshme. Kjo edhe po i inkurajon armiqtë e kombit shqiptar që të jenë edhe më ambiciozë e më agresivë në pretendimet e tyre. Prandaj rikthimi te diskutimi i parimeve, vlerave, objektivave dhe mundësive të nacionalizmit shqiptar mund të jetë një ndihmesë në këtë situatë të rëndë e absurde. Historia e nacionalizmit shqiptar ka qenë reaktive që nga shfaqja e tij, prandaj mundet që edhe tash, si reagim ndaj pretendimeve kaq të hapta antishqiptare, të rikthehet mendimi kombëtarist me energjinë e vet refuzuese e mobilizuese. Në kohën e Rilindjes Kombëtare mendimi nacionalist shqiptar e pati energjinë që t’u kundërvihej nacionalizmave të kombeve ballkanike, si edhe projekteve të Fuqive të Mëdha europiane. Mbi atë histori të lavdishme, mendimi nacionalist dhe nacionalizmi si botëvështrim e veprim, mundet edhe në kohën tonë të shndërrohet në përgjigje ndaj armiqve të vjetër e të rinj të kombit shqiptar.

Megjithatë, në realitetet e reja dhe përballë provokimeve të reja, nacionalizmi shqiptar duhet të ridefinohet, duke u përshtatë me atë që tashmë quhet nacionalizmi i ri. Në dijeninë time ende as që është provuar ndonjë trajtim a studim serioz në këtë terren, përkundër faktit se në hapësirat shqiptare funksionojnë dhjetëra universitete publike e private, kolegje universitare, institute, madje dy akademi shkencash, që së bashku do të duhej të kishin projekte hulumtuese edhe në këto nivele.
Gati si për çudi, në Përfundim të këtij libri, i cili edhe më ketë rast po ribotohet pa asnjë ndryshim, disa nga çështjet që janë skicuar si mundësitë e reja të nacionalizmit shqiptar për të ardhmen, janë esencialisht pjesë e perceptimit mbi nacionalizmin e ri. Në këtë mes, ruajtja e vlerave plurale e liberale brenda kombit tonë, heqja dorë nga ideja e ndryshimit të kufijve me dhunë, toleranca ndërfetare, fuqizimi i kombit në kuadër të integrimeve euro-atlantike dhe konkurimi në integrimet globale, kanë qenë disa nga idetë e propozuara. Ato mbeten të vlefshme edhe sot, kur platformat e nacionalizmit të ri po dizajnohen e pasurohen me ide të reja si ajo që “liberalizmi dhe nacionalizmi nuk janë përjashtues të njëri- tjetrit, sepse ata mund dhe duhet të shkojnë krah për krahë.” (Tamir.)

Në këto vitet e fundit format e promovimit ndër shqiptarë janë pasuruar edhe me elemente argëtuese si mobilizimi i tifozerive të futbollit, adaptimi i këngëvë patriotike për emocionet e tifozëve, (sidomos në Shqipëri), me marketimin e këngëtareve shqiptare si simbole të krenarisë shqiptare, etj. Nuk mund ta them saktë se a është pjesë e përjetimit mirëfilli nacionalist, por ndoshta edhe ky lloj promovimi postmodernist mund të integrohet në platformën e nacionalizmit të ri shqiptar. Në mos asgjë, kjo formë e manifestimit po e kompenson mungesën e nacionalizmit të elitave dhe mungesën e unitetit kombëtar në fushën e politikës, ekonomisë, arsimit e kulturës. Meqë “nacionalizmi është ideologji e kombit, jo e shtetit”, (Smith) këto forma argëtuese, mund ta kenë një rol mobilizues, sado të kufizuar, në identifikimin e gjeneratave të reja shqiptare me kombin shqiptar.

Një gjë mbetet e sigurt: në një botë të dominuar nga nacionalizmi, siç është dominimi i sotëm, nëse nuk keni një projekt nacionalist, keni vendosur të nënshtroheni. E dyta, duhet të mbetet e qartë se pa nacionalizëm, qoftë dhe vetëm kulturor e liberal, nuk ka besnikëri as brenda vetë kombit. Poashtu mungesa e nacionalizmit brenda shtetit, e nxitë edhe keqqeverisjen, korrupsionin dhe tradhtinë. Këto janë arsyet pse sërish, me dorë në zemër, ua propozoj leximin e këtij libri. (Parathënia e botimit të tretë të librit “Nacionalizmi shqiptar.)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish deputeti Hisen Berisha në emër të familjes Berisha dhe…