Mungesa e ambasadorëve në 23 vende dëmton imazhin e Kosovës

01 shtator 2021 | 16:56

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ibrahim Gashi, ka thënë se mungesa e ambasadorëve të Kosovës në 23 vende të botës dëmton imazhin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka thënë se në sytë e shteteve pritëse kjo krijon percepcionin se Kosova është një shtet i brishtë dhe me diplomaci të pakonsoliduar.

Gashi, i cili më herët ka qenë zëvendësministër i Punëve të Jashtme, ka paralajmëruar se veprimet e tilla mund të sjellin edhe pasoja për Republikën e Kosovë

“Epoka e re”: Z. Gashi, prej të hënës 23 misione diplomatike të Kosovës janë pa ambasadorë. Çfarë do të thotë kjo për Kosovën si shtet i ri?
Gashi: Sigurisht në sytë e shteteve pritëse kjo krijon një percepcion se kemi të bëjmë me një shtet të brishtë dhe me diplomaci fare të pakonsoliduar. Në fakt kjo që po shohim edhe në sytë e opinionit të brendshëm ngrit shqetësime së situata nuk është vetëm perceptim por ka mjaft realitet brenda saj. Ambasadorët e rinj do të duhej të kishin udhëtuar që javën e kaluar në vendet pritëse për të bërë pranim-dorëzimin e detyrës nga kolegët e tyre pararendës të liruar. Sot ata që të gjithë duhej të fillonin ditën e parë të shërbimit të tyre. Neni 19 i Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike (KVMD), e vitit 1961, e ka përcaktuar procedurën kur për arsye objektive vendi i kreut të misionit mbetët vakant. Në këto raste duhet një njoftim më kohë i MPJ-së të shtetit pritës lidhur më emrin e të ngarkuarit më punë. Nuk e di nëse MPJ-ja e Republikës së Kosovës e ka bërë një njoftim të tillë më kohë pranë vendeve pritëse, derisa ende nuk janë caktuar ambasadorët e rinj. Për mua kjo indiferencë deri në nivel papërgjegjësie ndaj këtij procesi nga ana e MPJ-së dhe Presidencës është për shqetësim serioz.

“Epoka e re”: Sa ndikon në politikën e jashtme të Kosovës mungesa e shefave të misioneve diplomatike?
Gashi: Pa diskutim përfaqësimi i shtetit të Kosovës në marrëdhëniet dy paleshe dhe shumëpalëshe më nivel më të ulët se ambasadori, pra me të ngarkuar me punë, madje për një kohë të gjatë, e zbehë në masë të theksuar përmasën dhe cilësinë e përfaqësimit. I ngarkuari me punë nuk ka peshën e përfaqësimit si të ambasadorit. Për më shumë edhe tek autoritetet e vendeve pritëse i ngarkuari me punë nuk trajtohet (de fakto) njëjtë si ambasadori

 “Epoka e re”: Tani Kosova nuk ka ambasadorë në kryeqendrat botërore si në  Uashington, Londër, Bruksel, Paris dhe Berlin. Cili është mesazhi që Kosova dërgon të këta partnerë me mungesë të ambasadorëve?
Gashi: E thash më lartë se i ngarkuari me punë nuk ka peshën e përfaqësimit si të ambasadorit. Rrjedhimisht shtetet pritëse, sidomos shtetet e mëdha dhe me ndikim në marrëdhënie ndërkombëtare, nuk ndihen të respektuara mjaftueshëm (mund të ndjehen të fyera) nëse Kosova, për një kohë te gjatë, nivelin e përfaqësimit atje e ka më të ngarkuar më punë. Kjo ka ndodhur më se njëherë, por rasti me eklatant ka qenë mbajtja e nivelit të përfaqësimit të Kosovës në Japoni më të ngarkuar më punë, për një kohë të gjatë, rreth një vit. Pasoj e kësaj ishte abstenimi i përfaqësuesit të Japonisë në votimin për anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

“Epoka e re”: Qeveria ende nuk ka nisur procedurat për zgjedhjen e këtyre ambasadorëve. Kjo nënkupton se edhe për disa muaj nuk do të kemi ambasadorë në këto vende. Çfarë pasoja mund të sjell për diplomacinë e Kosovës kjo?
Gashi: Me vendimin e nxituar, mbase dhe krejtësisht në përputhje me procedurat e parapara ligjore, për shkarkimin e njëkohshëm të 23 ambasadorëve dhe vonesat, po ashtu të pajustifikueshme ligjërisht për emërimin e ambasadorëve të rinj pasues, MPJ-ja dhe Presidenca me apo pa vetëdije e kanë dëmtuar imazhin e vendit në sytë e opinionit ndërkombëtar dhe veçmas të 23 vendeve pritëse nga ku u hoqën ambasadorët, një pjesë e të cilëve ishin brenda mandatit të tyre. Pasojat më të drejtpërdrejta të kësaj qasje do t’i shohim pas tetorit, kur diplomacia kosovare më këto kapacitete të përgjysmuara nuk do të jetë e gatshme të përballojë ofensivën e diplomacisë serbe për minimin e procesit të arritjes së njohjeve të reja dhe tërheqjen e njohjeve ekzistuese. Uroj të kem analizë të gabuar sa i përket procesit të ‘çnjohjeve’, por e konsideroj si një kërcenim që nuk duhet nënvlerësuar.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Shëndetësisë (MSh), Arben Vitia, ka njoftuar se kanë…