Mungesa e inspektorëve po rrezikon sigurinë ushqimore

27 maj 2025 | 08:25

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë bën të qartë se nuk po arrin ta përmbushë mandatin ligjor për kontrollin e produkteve ushqimore për shkak të mungesës së theksuar të inspektorëve, raporton Ekonomia Online.

Zëdhënësi i agjencisë, Lamir Thaçi, në një intervistë për EO, thotë se situata është emergjente dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet për miratimin e pozitave të reja, përndryshe rrezikohet seriozisht siguria ushqimore dhe shëndeti i qytetarëve.

Sipas tij, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të drejtuara institucioneve shtetërore për miratim të pozitave të reja, nuk është marrë ende asnjë aprovim zyrtar.

“Aktualisht jemi në një situatë urgjente për të shtuar numrin e inspektorëve sepse ka regjione që mbulohen vetëm me nga një-dy inspektorë dhe kjo është tepër e pamjaftueshme për shkak të kompleksitetit që ka dhe mandatit, dhe agjencia që lidhet direkt me jetën dhe shëndetin e qytetarëve, shëndetin e bimëve dhe shëndetin e kafshëve. Është urgjente që ne të rekrutojmë staf të ri. Kemi paraqitur kërkesa në vazhdimësi pranë institucioneve dhe mekanizmave të tjerë shtetërorë të cilët duhet të bëjnë lejimin dhe aprovimin e këtyre pozitave dhe deri më tani nuk kemi marrë. Ne shpresojmë që sa më shpejt të punësohen inspektorët që ne të arrijmë të përmbushim mandatin tonë ligjor që kemi. Imagjinoni – ne duhet të kontrollojmë të gjitha thertoret gjatë gjithë kohës sa ato ushtrojnë therje e po ashtu të njëjtit inspektorë duhet të kontrollojnë të gjitha fabrikat e përpunimit dhe paketimin e të gjitha produkteve me origjinë shtazore. E në të njëjtën kohë edhe pikat shitëse apo marketet për të gjitha këto produkte”, tha ai.

Ai shtoi se, ndonëse me ligj është paraparë krijimi i trupës së re të inspektorëve të sigurisë ushqimore, deri tani nuk është rekrutuar as edhe një inspektor në këtë profil.

Në mungesë të kuadrit të mjaftueshëm, AUV po mbështetet me inspektorë nga sektorë të tjerë – një praktikë që Thaçi e konsideron si të pamjaftueshme.

“Në anën tjetër është me ligj e përcaktuar që të krijohet një trupë e re që inspektorët do të quhen inspektorë të sigurisë ushqimore e të cilët deri më tani nuk është rekrutuar apo nuk është punësuar asnjë inspektor në këtë fushë. Ne po mbështetemi nga inspektoratet tjera siç është inspektorati sanitar në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë. Por kjo është e pamjaftueshme që ne të arrijmë që të përmbushim mandatin tonë ligjor që kemi, që në çdo kohë produktet të cilat dalin në treg duhet të jenë të kontrolluara dhe t’i përmbushin të gjitha kriteret ligjore të sigurisë. Andaj ne kërkojmë që sa më shpejt të ofrohet mundësi që ne të rekrutojmë staf të ri i cili do të jetë në shërbim të konsumatorëve tanë”, tha ai.

Sipas Thaçit, rreth 70 inspektorë janë në detyrë, por një pjesë e konsiderueshme e tyre angazhohen në pikat kufitare dhe doganore, ku situata po mbahet nën kontroll. Problemet më të mëdha sipas tij, janë në kontrollin e brendshëm, ku po mungojnë resurset për inspektimin e produkteve, siç kërkohet me ligj.

Ai vlerësoi se është urgjente të shtohet numri i inspektorëve në sektorin fitosanitar, atë veterinar, si dhe të rekrutohen 20 deri në 30 inspektorë të specializuar vetëm për sigurinë ushqimore dhe kontrollin e produkteve të gatshme në treg.

“Ne aktualisht jemi rreth 70, duke përfshirë edhe inspektorët të cilët permanent duhet të qëndrojnë në pika kufitare dhe terminale doganore dhe fushën e kontrollit kufitar jemi duke e mbuluar mirë sepse asnjë ngarkesë nuk mund as të zhdoganohet pa ushtruar kontroll nga inspektorët tanë. Por në kontrollin e brendshëm kemi mungesa dhe jemi në situatë emergjente sepse në shumë fusha nuk po arrijmë të kryejmë kontrollet e nevojshme siç përcaktohen me ligj. Andaj kemi nevojë për shtim të numrit të inspektorëve në sektorin fitosanitar, që të kontrollohet shëndeti bimor, kemi nevojë për shtim të numrit në sektorin veterinar e po ashtu një numër prej rreth 20 apo 30 të na ofrohen si inspektorë që ekskluzivisht do të merren vetëm me sigurinë ushqimore dhe do të jenë të fokusuar vetëm me produktet e gatshme të cilat gjenden në treg”.

“Ende nuk kemi marrë ndonjë aprovim që ne të nisim fazën e rekrutimit – gjithmonë premtimet, kjo është në vazhdimësi që merren që po. Por ende deri më tani nuk kemi marrë ndonjë aprovim zyrtar me të cilin ne mund të fillojmë procedurat e rekrutimit. Andaj kjo është një kërkesë e kamotshme dhe është duke u rritur nevoja për inspektorë sepse në pjesë të stafit ose kanë lënë punën në agjenci ose kanë dalë në pension dhe ne nuk kemi arritur që as këto mungesa, as numrin që kanë qenë, ta ruajmë. Kërkojmë që urgjentisht të na lejohet, të aprovohet kjo sepse inspektorët e agjencisë janë sektor krucial për të ruajtur shëndetin dhe jetën e qytetarëve”, tha ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rusia kritikoi ashpër Gjermaninë pasi kancelari, Friedrich Merz, sugjeroi që…