
Mungesa e përvojës ngadalëson rrugën e të rinjve drejt punësimit
Ky rreth vicioz i bllokon ata që në fillim të karrierës.
Shkurte Ymeri, 20 vjeçe nga Podujeva, është në prag të diplomimit në marketing, por deri tani nuk ka gjetur as mundësi për praktikë, as punë.
“Ti shkon të kërkosh punë ose praktikë dhe të kërkojnë eksperiencë dy ose trevjeçare, por nuk ta ofrojnë mundësinë që ti ta përfitosh atë eksperiencë”, thotë Shkurtja, e cila është drejtuar në disa kompani marketingu dhe banka.

“Kjo është sfidë që ta humbë motivin për të vazhduar përpara”, shprehet ajo për Radion Evropa e Lirë.
Edhe Arian Morina, absolvent në Shkenca Kompjuterike, është duke kërkuar punë – madje edhe me pagë minimale, vetëm për të fituar përvojë, sepse, siç thotë, punëdhënësit kërkojnë përvojë disavjeçare.
“Paguhen mirë ata që kanë përvojë pune. Për ne që jemi kah fillimi, është problem”, thotë prishtinasi 22-vjeçar.

E, Dalina Dibrani, e cila aktualisht punon si shitëse në një dyqan orësh, kërkon një vend pune që i përkon profilit të saj ekonomik, por është e vetëdijshme se pa përvojë nuk do të jetë e lehtë.
Studentja e kontabilitetit thekson nevojën për më shumë mirëkuptim dhe mbështetje ndaj të rinjve në tregun e punës.
“Ne jemi të rinj, ne duhet të kemi një lloj hapësire ku edhe mund të gabojmë, mund të shohim se çfarë është më mirë dhe të përmirësohemi”, thotë Dalina.

Situata nuk është më e lehtë as për ata që vijnë nga jashtë, si Jahja Hamzi nga Jordania, i cili prej kohësh përpiqet të punësohet në fushën e teknologjisë, por mosnjohja e gjuhës dhe mungesa e kontakteve ia kanë bërë të pamundur.
Ai ka leje qëndrimi në Kosovë tash e dy vjet dhe, bashkë me të, gëzon edhe të drejtën për punësim.
“Deri më tash kam kërkuar shumë që të punësohem. Por, për fat të keq, nuk ka pasur asnjë [punëdhënës] që do të angazhonte një refugjat”, thotë 31-vjeçari, duke pohuar se është profesionist në fushën e shkencave kompjuterike.

Në Kosovë, shpallja e konkurseve për punësim zakonisht bëhet nëpërmjet faqeve zyrtare të institucioneve publike dhe agjencive të punësimit, si dhe përmes portaleve të njohura për punësim online.
Shpesh, konkurset publike kërkojnë dokumentacion të plotë dhe procedura të gjata, përfshirë përvojën e caktuar.
Në sektorin privat, mundësitë e punës janë shpesh më fleksibile, por edhe më pak të shpallura në mënyrë transparente.
Çfarë pune duan të bëjnë të rinjtë?
Për të gjetur punë, shumë të rinj, përfshirë këta me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, marrin pjesë në aktivitete si “Panairi Kombëtar i Punës dhe Karrierës 2025”, që u organizua javën e kaluar në Prishtinë.
Rreth 130 biznese në këtë ngjarje ofertuan rreth 500 vende pune.

Aida Topanica, nga Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), e cila ndihmoi organizimin e saj, vuri në dukje se kërkesat më të mëdha për punësim janë në teknologjinë e informacionit dhe në dizajn grafik.
Por, shumica e aplikantëve, sipas saj, kërkojnë vetëm mundësi për praktikë dhe përvojë, si një hap drejt punës së qëndrueshme.
Trendi është duke ndryshuar viteve të fundit, pasi që, siç thotë, më herët kanë dominuar studentët e ekonomisë apo drejtësisë.
“Fokusi tani është goxha më shumë te shkencat kompjuterike dhe te drejtimet që merren me teknologji, dizajn grafik”, tha Topanica për Radion Evropa e Lirë.

“Rreth vicioz” për të rinjtë
Skender Reçica, ish-ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale në Kosovë, e përshkruan këtë fenomen si “rreth vicioz”: pa përvojë nuk punësohesh, pa punë nuk fiton përvojë.
Ai thotë se mungesa e mundësive për të bërë praktikë profesionale pas përgatitjes akademike, është sfidë për shumicën e të rinjve që përfundojnë studimet universitare.
“Për shumë prej tyre, diplomës së përgatitjes akademike i mungon vlera praktike në ‘sytë’ e tregut të punës, sepse institucionet private dhe publike, e në veçanti ato publike, nuk kanë krijuar mekanizma që do t’u mundësonin [të rinjve] të fitonin përvojën e parë profesionale”, thotë Reçica për Radion Evropa e Lirë.
Ai kujton se një ligj për njohjen e praktikës profesionale si përvojë pune, ka qenë i parashikuar më herët, por thotë se është bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve politike dhe pandemisë COVID-19.
Sipas tij, politika duhet të bëjë çmos për ta çuar përpara këtë nismë ligjore ose një tjetër të ngjashme.
“Në të kundërtën, për mungesë të vullnetit politik, zvarritja e këtyre reformave i kthen të rinjtë në spektatorë të pasivizuar të së ardhmes së tyre”, shprehet Reçica.
Ndonjë ligj eventual në këtë drejtim nuk mund të pritet së shpejti, meqë Kosova nuk ka kuvend të konstituuar, përkundër dhjetëra përpjekjeve për ta bërë atë që pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Sipas të dhënave që siguroi Radio Evropa e Lirë nga Agjencia e Punësimit në Kosovë, numri i punëkërkuesve është rritur ndjeshëm në vitin 2024, duke arritur mbi 57 mijë, nga 41.773 sa ishte në vitin 2023.
Përqindja mes gjinive është thuajse e barabartë, por nuk ka shifra të sakta për ata që kërkojnë punë për herë të parë.
Përndryshe, tregu i punës në Kosovë është i karakterizuar edhe nga mungesa e profileve të caktuara – gjë që i detyron kompanitë të kërkojnë shpesh punëtorë prej jashtë vendit.
Por, edhe shumë profesionistë kosovarë, për shkak të mungesës së mundësive dhe kushteve më të mira ekonomike, kërkojnë punë jashtë Kosovës, duke kontribuar kështu në fenomenin e “largimit të trurit”, që është duke përkeqësuar më tej situatën në tregun lokal të punës.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë në vend është 10.9 për qind. /REL