
Mungojnë faturat, Shoqata e Prodhuesve kërkon pezullimin e vendimit të ZRrE-së për tarifat e reja të energjisë
Shoqata e Prodhuesve të Kosovës, në kuadër të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, i ka bërë një thirrje Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për ta pezulluar menjëherë vendimin e fundit për tarifat e energjisë elektrike, duke e cilësuar atë si një rrezik serioz për sektorin prodhues të vendit.
Kjo shoqatë ka theksuar mungesën e përgatitjes institucionale dhe transparencës në implementimin e vendimit.
“Fakti që ende nuk kanë ardhur faturat, tregon qartë se nuk ka pasur as përgatitje minimale për zbatimin e këtij vendimi. Kjo situatë dëshmon mungesën e transparencës, planifikimit dhe konsultimit me palët e prekura”, është thënë në reagimin e Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës.
Shoqata ka shprehur shqetësimin se ky vendim vjen në një moment tepër të ndjeshëm për industrinë vendore, e cila po përballet me sfida të shumta ekonomike. “Ky vendim, në një kohë kur bizneset vendore po përballen me: rritje të madhe të importeve, rënie të eksportit, dhe vështirësi serioze në ruajtjen e tregjeve të BE-së, po shndërrohet në një barrë të papërballueshme për prodhuesit tanë”, është thënë në këtë reagim.
Sipas kësaj shoqate, rritja e menjëhershme e kostove të energjisë pa paralajmërim dhe pa asnjë konsultim me sektorin privat, mund të ndikojë rëndë në konkurrueshmërinë dhe mbijetesën e ndërmarrjeve vendore. “Rritja e menjëhershme e kostove të energjisë, pa asnjë paralajmërim apo diskutim me sektorin privat, rrezikon jo vetëm konkurrueshmërinë, por edhe vetë mbijetesën e shumë ndërmarrjeve vendore”, është thënë në reagimin e Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës.
Shoqata ka kërkuar që ZRrE-ja të tërheqë menjëherë vendimin dhe të nisë një proces të ri, të planifikuar dhe gjithëpërfshirës.
“Kërkojmë nga ZRrE pezullimin e menjëhershëm të vendimit dhe fillimin e një procesi të përgjegjshëm, të hapur dhe të planifikuar për një tranzicion të drejtë dhe të qëndrueshëm në fushën e energjisë. Sektori prodhues duhet të trajtohet si partner strategjik, jo si viktimë e politikave të nxituara. Lidhja e Bizneseve të Kosovës do të jetë gjithmonë pranë prodhuesve dhe bizneseve, në shërbim të zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës”, është thënë në reagim.