
Muqolli: Do të japim maksimumin për të kaluar grupin
Pasi udhëhoqi si kapiten Përfaqësuesen e Kosovës U21 në paraqitjen historike në Botëror, Jon Muqolli është i gatshëm për të dhënë kontributin e tij edhe në Përfaqësuesen A.
Muqolli ka përvojë në Përfaqësuesen A të Kosovës, por ndjehet i gatshëm për të marrë më tepër përgjegjësi. “Dardanët” të premten nis përgatitjet për paraqitje në kualifikimet e Botërorit.
“Paraqitja në Kampionatin Botëror ishte një e arritur shumë e madhe për shtetin tonë. Po ashtu ishte e arritura më e madhe në karrierën tonë të deritashme. Ishte një ëndërr e realizuar. Kishim përballë superfuqi, por nuk zhgënjyem. Tani është koha për Përfaqësuesen A. E falënderoj përzgjedhësin Taip Ramadani për besimin, ndërsa shpresoj që të paraqitemi sa më mirë në këto ndeshje. Tani nga ne kërkohet suksesi, përkatësisht kalimi i grupit. Kemi të bëjmë me kundërshtarë të fortë dhe do të jetë vështirë por do të japim maksimumin deri në fund”, ka thënë Jon Muqolli, që është plot vullnet para grumbullimit me Përfaqësuesen A. Kosova luan me Italinë, Rumaninë e Gjeorgjinë në Benevento të Italisë, muajin tjetër.