Murati deklarohet pas takimit për pagën minimale, s’e përmend nëse do të jetë 500 euro

30 tetor 2025 | 15:42

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati është deklaruar pas takimit që kishte me përfaqësues të sindikatave të punonjësve nga sektori privat si dhe me përfaqësues të odave ekonomike.

Murati ka thënë se ky takim bie në kuadër të dialogut social për rritjen e pagës minimale, duke shtuar se ka dëgjuar propozimet e sugjerimet e të pranishmeve.

“Nga ky takim, dëgjova propozimet dhe sugjerimet e përfaqësuesve të sindikatave të cilët e mbështetën rritjen e pagës minimale, e po ashtu dëgjova edhe rekomandimet që erdhën nga përfaqësuesit e bizneseve që kishin të bëjnë me nevojën për më shumë konsultime dhe pagë minimale të përshkallëzuar”, ka thënë Murati.

Por, pak më herët Oda Ekonomike e Kosovës, ka njoftuar se nuk ka qenë pjesë e takimit të thirrur nga Ministria e Financave për çështjen e rritjes së pagës minimale, duke thënë se në katër vitet e fundit nuk ka pasur asnjë dialog të mirëfilltë e gjithëpërfshirës ndërmjet qeverisë dhe komunitetit të biznesit.

Ndërsa Murati ka thënë se paga minimale është “instrument tejet i rëndësishëm që përcakton minimumin e pagesës së një ore pune, dhe ka për synim mbrojtjen e punëtorëve nga praktikat jo të mira”.

Megjithatë, ai nuk e ka përmendur nëse paga minimale do të jetë 500 euro siç ka deklaruar Jusuf Azemi nga Sindikata e Punëtorëve të Sektorit privat pas takimit me Muratin.

“Njëkohësisht, rritja e pagës minimale duhet të marrë parasysh edhe kushtet e tregut, dhe kapacitetin absorbues nga ana e ndërmarrjeve. Si qeveri, pagën minimale e rritëm për herë të parë pas më shumë se një dekade stagnimi, dhe premtuam që paga minimale do të rishikohej çdo vit. Nga takimi dola më i informuar, dhe patjetër që do ti kem parasysh të gjitha sugjerimet e rekomandimet kur të bëj propozimin e pagës minimale të re për miratim në qeveri. I falënderoj të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre të çmueshëm në këtë bashkëbisedim”, ka thënë Murati.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka organizuar punëtorinë…