
Murati fajëson LDK-në për bllokimin e buxhetit të Prishtinës
Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se për shkak se opozita po e bllokon konstituimin e Kuvendit, ka mbetur pezull edhe ndryshim plotësimi i Ligjit të Buxhetit, që do të përfshinte buxhetet e tri komunave të cilat ishin vonuar në miratimin e buxheteve komunale sipas afateve ligjore.
“Pra buxhetet komunale janë miratuar në asambletë përkatëse tek pas votimit të Ligjit të Buxhetit në Kuvend dhe kësisoj ato buxhete ende nuk janë në fuqi. Njëra ndër këto komuna që është vonuar me miratim të buxhetit është edhe Prishtina”, ka thënë Murati.
Ai ka theksuar se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, duhet të kërkojë zhbllokimin e buxhetit komunal tek Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Pra kur Përparim Rama kërkon zhbllokimin e buxhetit komunal, adresa e duhur për ankesë është pikërisht partia e tij LDK, e cila duke mos votuar për konstituimin e Kuvendit, po e vonon edhe plotësimin e Ligjit të Buxhetit, për ta përfshirë edhe buxhetin e Komunës së Prishtinës si pjesë përbërëse. Megjithatë, mos-hyrja në fuqi e Buxhetit të Komunës së Prishtinës, nuk e ka ndalur Përparim Ramën dhe LDK-në që të nënshkruajnë kontrata milionëshe e të shpallin tenderë milionësh pa kurrfarë mbulese në stilin ‘aksham-pazar’, duke shkelur kështu Ligjin për Financa Publike dhe atë të Prokurimit Publik. Për këto shkelje, do të duhej qëmoti të ishte aktivizuar prokuroria, por deri më tani nuk kemi parë asnjë veprim nga ana e tyre”, ka thënë ministri në detyrë, Hekuran Murati.