Murati godet Kushtetuesen një ditë para vazhdimit të seancës: Dehari ka vepruar në përputhje të plotë me Kushtetutën

19 gusht 2025 | 14:40

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka reaguar pas publikimit të aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me zhvillimet në Kuvend, duke akuzuar këtë institucion për qasje të ndryshme në interpretimin e Kushtetutës, varësisht se kush është fitues i zgjedhjeve.

Murati, përmes një postimi në “Facebook”, ka theksuar se kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, dhe grupi parlamentar i LV-së, kanë vepruar në përputhje të plotë me Kushtetutën që nga data 15 prill e deri më 26 korrik, duke u mbështetur në aktgjykimin KO119/2014 të Gjykatës Kushtetuese.

Ai ka theksuar se Kushtetuta nuk ka ndryshuar që nga viti 2014, por sipas tij, ndryshimi ka ndodhur në mënyrën se si po e interpretojnë atë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, për shkak se tani fituese e zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje, dhe jo Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

“Ky aktgjykim i publikuar dje, madje duket sikur është shkruar në zyrat e PDK-së, për dallim nga ai i datës 26 qershor, i cili megjithatë linte përshtypjen se kishte kontribut edhe nga vetë Gjykata”, ka shkruar Murati.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen nesër në përpjekjen e radhës, të parën pas aktgjykimit të ri të Gjykatës Kushtetuese, për konstituimin e legjislaturës së nëntë të institucionit legjislativ.

Sipas njoftimit nga Kuvendi i Kosovës, mbledhja do të mbahet duke filluar nga ora 11:00 dhe në rend dite janë zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve.

Kjo është seanca e parë që mbahet pas masës së përkohshme që nuk lejonte deputetët të marrin asnjë vendim, deri në publikimin e vendimit të ri të Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkohë, dje Kushtetuesja ka publikuar aktgjykimin, i cili specifikon se seanca konstituive duhet të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë.

Deri më tani deputetët kanë dështuar 54 herë ta konstituojnë legjislaturën e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shoqata Zvicerane e Futbollit po intensifikon përpjekjet e saj për…