Murati: Kosova rrezikon 90 milionë euro nga Banka Botërore shkaku i bllokimit të opozitës

23 qershor 2025 | 11:11

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se janë 90 milionë euro të alokuara nga Banka Botërore për Kosovën, të cilat po presin ratifikimin nga Kuvendi që nga muaji maj i vitit të kaluar.

Ai ka thënë se ky lloj financimi është i veçantë sepse ka kamatë 0%.

“Shumë shtete do të dëshironin të përfitonin nga një financim i tillë, por Kosova është ndër shtetet e rralla që ka përfituar falë reformave të ndërmarra dhe menaxhimit të mirë të financave publike. Partitë opozitare gjatë legjislaturës së kaluar kishin refuzuar të votonin ratifikimin, ndërsa tash po e pamundësojnë edhe konstituimin e legjislaturës së re duke mos marrë fare pjesë në votim, duke prolonguar kështu ratifikimin e kësaj marrëveshjeje. Por Banka Botërore e as bota nuk mund të na presin pafundësisht”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Murati ka thënë se nëse marrëveshja për 90 milionë euro me kamatë 0% nuk ratifikohet deri në shtator, ekziston rreziku shumë i lartë që këto mjetet t’i merren Kosovës dhe t’i jepen një shteti tjetër.

“Prandaj është jetike që opozita të reflektojë dhe të mundësojë konstituimin e Kuvendit, e pastaj edhe të votojë këtë marrëveshje. Inatet politike nuk do të duhej t’i kushtonin shtetit tonë”, ka theksuar Murati.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Arbresha Krasniqi, ka kërkuar që subjektet…