Murati, opozitës: Kur ta sjellim pakon mbështetëse në Kuvend, do ta quani përsëri blerje të votës
Ministri i Financave, Hekuran Murati, në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet në Kuvendin e Kosovës për çmimin e naftës, ka reaguar ndaj akuzave të opozitës.
Murati ka sqaruar se politika e qeverisë ka qenë e qëndrueshme dhe masat janë marrë duke respektuar parimet ekonomike.
“Ne, si qeveri, nuk kemi ndryshuar as akcizën, as TVSh-në, pra nuk i kemi rritur. Dhe, nëse në Shqipëri, për shembull, çmimi ka shkuar mbi 2 euro litri, pra atje është marrë një masë që, në momentin që çmimi tejkalon 2 euro e 20 cent, akciza do të ulet për 8 deri në 9 cent për litër. Domethënë, mbi 2 euro e 20 cent, nëse shkon çmimi. Dhe, sa i përket çështjes që u tha për propagandën, po ashtu që bizneset po ikin nga Kosova, pra u tha që po mbyllen fabrika e po shkojnë në vendet e rajonit, gjithashtu është e pavërtetë. Është krejt tjetër gjë nëse bizneset e suksesshme në Kosovë rriten dhe tani vazhdojnë të rriten edhe në vendet e rajonit, pra rrisin investimet edhe në vendet e rajonit. Përndryshe, çfarë logjike paska nëse po thuhet që po ikin prej çmimit të naftës bizneset e Kosovës e po shkojnë në Shqipëri, ku çmimi i naftës është nja 50 cent më i shtrenjtë për litër? Cila është logjika këtu? Domethënë, nuk ka logjikë këtu, prandaj është e pasaktë”, ka thënë ai.
Më tutje, Murati ka shpjeguar qasjen e qeverisë për masat mbështetëse dhe parimet që udhëheqin vendimet.
“Sa i përket çështjeve të tjera, pra, përveç… sepse po duhet të kemi kujdes edhe si qeveri, se nëse po i mbështesim qytetarët, po quhet blerje vote dhe populizëm. Nëse nuk i mbështesim, po thuhet se qeveria s’po bën asgjë. Tash po na kërkoni që t’i mbështesim, por jam i sigurt që, kur ta sjellim pakon mbështetëse këtu në Kuvend, do ta quani përsëri blerje të votës, apo jo? Pra, pres që së paku ta mbani konsistencën brenda këtij muaji, që, kur ta sjellim pakon mbështetëse, ta votoni edhe ta mbështetni edhe ju. Sa i përket argumenteve të tjera që u paraqitën… U përmend disa herë argumenti që nuk qëndron se qeveria, nëse ul taksat tash, nuk humb, për shkakun që ka rritje të çmimit dhe si pasojë e kësaj mbledh më shumë TVSh. Këtë mund ta thonë vetëm ata ekonomistë të cilët nuk kanë një njohuri të thellë sa i përket edhe koncepteve të tjera bazike ekonomike, siç është elasticiteti i çmimit. Pra, është koncept bazik për ekonomi, i cili po harrohet nga shumë prej ekonomistëve të opozitës”.
“Nëse i shohim shifrat, sepse u tha që të hyrat janë parashikuar me çmimet e vitit të kaluar, ndërkaq tash, meqenëse është rritur çmimi, ka më shumë të hyra, prandaj ulja e akcizës apo e TVSh-së nuk do të ndikonte negativisht në uljen e të hyrave. Të dhënat zyrtare, pra nga Dogana, tregojnë që për vitin aktual rritja e të hyrave është vetëm 5.6 për qind, ndërkaq e buxhetuar tek tatimet indirekte, pra ku bëjnë pjesë akciza dhe TVSh-ja, është 11.3 për qind. Pra, 11.3 për qind është rritja e buxhetuar, ndërkaq të hyrat janë rritur vetëm 5.6 për qind, që nënkupton rritje nën trendin e buxhetuar. Pra, tashmë jemi në mungesë buxhetore sa i përket akcizës dhe TVSh-së nga nafta. Po në të njëjtën kohë, për ta dëshmuar konceptin bazë të elasticitetit, pra të çmimeve dhe raportit me kërkesën që çmimet kanë kur ato rriten, e kam këtu edhe raportin sa i përket 15 ditëve të fundit, pra të muajit mars. Përderisa është e vërtetë që te TVSh-ja mund të jenë mbledhur 7 deri 8 cent më tepër për litër, sasia e tkurrur e blerjes së naftës, si rezultat i rritjes enorme të çmimit në bursa, ka ndikuar që të bjerë në nivel të sasisë. Prandaj, nëse e krahasojmë periudhën 15 mars deri më 31 mars të këtij viti me vitin e kaluar, e shohim që ka 1 milion euro më pak taksa të mbledhura në periudhën e njëjtë, për shkak se sasia është 6 milionë litra më pak. Pra, 6 milionë litra më pak. Prandaj, kuptojeni konceptin bazë të ekonomisë sa i përket elasticitetit të çmimeve dhe raportit me kërkesën që çmimet kanë kur ato rriten. Prandaj, të thuhet që qeveria po mbledh më shumë të hyra sepse është rritur çmimi, është e pavërtetë edhe faktikisht, pra përveçse konceptualisht, në mungesë të njohurive bazë”, ka thënë Murati.



