Murati reagon pas konferencës së Ramës: Të premten pasdite ia alokuam Prishtinës buxhetin e dhjetorit
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka bërë me dije se të premten pasdite ia kanë alokuar Komunës së Prishtinës buxhetin e muajit dhjetor për të paguar shërbimet esenciale si energjia elektrike, por sipas tij komuna e kishte përfunduar orarin e punës.
Ky reagim i Muratit vjen pas konferencës së kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
“Në vend se të paguanin faturat gjatë orarit të punës, Përparim Rama me nënkryetarët e tij kishin vendosur që të bëjnë propagandë anti-qeveri gjatë fundjavës, duke u ankuar për gjoja bllokadën. Sepse po të paguanin faturat të premten, s’do të mund të vazhdonin propagandën të shtunën e të dielën. Kjo e sqaron edhe arsyen pse Lumir Abdixhiku me deputetët tjerë të LDK-së nuk e votuan buxhetin për Prishtinën në Kuvend”, ka shkruar Murati në “Facebook”.
Postimi i plotë:
Të premten pasdite, Thesari e ka alokuar buxhetin e dhjetorit për Komunën e Prishtinës, para kohe, me idenë që të paguheshin disa fatura për shërbime esenciale, siç ishte energjia elektrike.
Mirëpo në fund të ditës, nga Thesari më njoftuan që përkundër alokimit, stafi i Komunës së Prishtinës kishin përfunduar orarin dhe nuk e kishin kryer asnjë pagesë, me arsyetimin se “i kryejmë të hënën”.
Fillimisht u habita, sepse kjo sjellje e tyre nuk përkonte me urgjencën që kishin paraqitur, kur kishin kërkuar alokim të parakohshëm.
Në vend se të paguanin faturat gjatë orarit të punës, Përparim Rama me nënkryetarët e tij kishin vendosur që të bëjnë propagandë anti-qeveri gjatë fundjavës, duke u ankuar për gjoja bllokadën.
Sepse po të paguanin faturat të premten, s’do të mund të vazhdonin propagandën të shtunën e të dielën.
Kjo e sqaron edhe arsyen pse Lumir Abdixhiku me deputetët tjerë të LDK-së nuk e votuan buxhetin për Prishtinën në Kuvend.
Sepse në mungesë të kauzave reale, paskan vendosur që të mos i kursejnë as qytetarët e Prishtinës, me shpresën që mos dikush rastësisht u beson se fajin e paska Qeveria.
Rama: Transporti publik ndalet nga nesër, buxheti ende i bllokuar



