Murati tregon se me kë do të bëjë koalicion LV-ja

27 nëntor 2025 | 15:17

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, njëherësh anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosjes, ka thënë se janë të hapur për koalicion me ish-partnerët e vjetër, Guxo dhe Alternativa.

Derisa kanë mbetur edhe tri ditë para përmbylljes së afateve për lidhjen e koalicioneve parazgjedhore, Murati nuk ka treguar nëse do të ketë koalicion formal mes tri partive, apo Guxo dhe Alternativa do të përfshihen në listë të LV-së.

“Si LV ka diskutime dhe ne kemi pasur partnerët e deritanishëm, Guxo dhe Alternativa, që si rezultat i bashkëpunimit të mirë që kemi pasur, ka gatishmëri që të vazhdohet tutje. Sa i përket bashkëpunimeve të reja, i takon subjektit të deklarohet për këto çështje”, ka thënë Murati.

Murati pas mbledhjes së qeverisë në detyrë të enjten, ka thënë se janë duke tentuar për të gjetur zgjidhje për të siguruar buxhetin për KQZ-në.

KQZ-ja ka miratuar ditë më parë buxhetin mbi 11 milionë euro për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme më 28 dhjetor.

“Ne do të shohim dhe do të gjejmë edhe buxhetin e KQZ-së, aq sa kanë kërkuar, mundësisht që të kemi organizim sa më të mirë të zgjedhjeve”, ka thënë Murati.

Në anën tjetër, Murati e ka arsyetuar vendimin e sotëm për ndarjen e buxhetit për RTK-në, teksa është pyetur se pse nuk e kanë bërë një gjë të tillë më herët.

“Deri tash është pritur se është dashur ta kryejë Kuvendi. PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-Nisma kanë refuzuar kategorikisht dhe nuk ka pasur asnjë arsye dhe asnjë pengesë ligjore që të kryejnë detyrën e tyre dhe të themelohet Komisioni për Buxhet dhe Financa, i cili është përgjegjës për miratimin e alokimit për buxhetin për RTK-në. Meqenëse kjo dështoi dhe kemi situatë emergjente, si qeveri na është dashur të marrim mjetet nga organizatat e tjera buxhetore për të siguruar ndarjen e buxhetit për RTK-në. Në vend se të shfrytëzohet buxheti që është i paraparë me ligj për RTK-në”, ka thënë Murati.

Sa i përket polemikave me kryetarin e Prishtinës, Murati ka akuzuar të njëjtin dhe LDK-në se kanë bërë fushatë në kurriz të qytetarëve.

Sipas tij, kriza buxhetore në kryeqytet po ndodh, siç tha, për shkak të keqmenaxhimit të Përparim Ramës, derisa ka theksuar se shpreson që kuvendi komunal sot të miratojë vendimin për bartjen e mjeteve vetanake, raporton “Kosovapress”.

“Ky ka qenë një problem i vetëshkaktuar dhe s’ka të bëjë fare me buxhet. Komuna e Prishtinës, teksa po flasim, tash e ka pasur të alokuar buxhetin sa i përket kategorisë mallra dhe shërbime. Ka qenë tejkalimi i buxhetit ai që ka shkaktuar problemin. Kryetari i Prishtinës ka hyrë në obligime pa mbulesë buxhetore, kjo është shkelje e ligjit dhe duhet të japë llogari për këtë çështje… Ka hyrë në obligime pa mbulesë, ka liruar kategori të caktuara të qytetarëve për të mos paguar bileta dhe ka marrë ato obligime si komunë pa e pasur buxhetin… Kemi pasur të bëjmë me një fushatë të LDK-së në kurriz të qytetarëve të Komunës së Prishtinës”, ka thënë Murati.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e…