Muri i Mitrovicës. Rrëfimi i një projekti që duhej ndalur
Muri që nuk u ngrit kurr sepse dikush vendosi ta rrëzojë para se të ndërtohej
Baton Haxhiu
Në majin e vitit 2001, një projekt për ndarjen fizike të Kosovës ishte gati të bëhej realitet. Publikimi i tij nuk ishte gazetari. Ishte vendim për të ndërhyrë në histori dhe për të mos lejuar që betoni të zëvendësonte lirinë. Tre javë e kam mbajt mbyllur në vete. Pasi kam marrë projektin në dorë e kam ndarë me Nebi Qenen dhe Garentina Krajen. Vendosa që duhet të botohet. Dhe se ka ditur askush. Ama askush deri ne momentin e botimit.
Nuk e mora atë vendim si kryeredaktor. E mora si dikush që e kuptonte se çfarë po ndodhte përtej letrës dhe projektit që mbaja në dorë. Ai projekt nuk ishte thjesht një plan teknik. Ishte një vijë që do ta ndante Kosovën në mënyrë të pakthyeshme. Ishte një vendim që po përgatitej në heshtje, me logjikë ushtarake dhe me gjuhë të ftohtë burokratike, por me pasoja që do të mbeteshin për breza.
Koha Ditore, para, gjatë dhe pas luftës nuk ishte vetëm gazetë, nuk ishte vetëm institucion, në atë kohë kur nuk kishim as shtet as fuqi politike shqiptare dhe kur ndërkombëtarët vendosnin gjithçka, ajo ishte vetë zëri, vetë rezistenca dhe vetë vetëdija e një shoqërie që refuzonte të dorëzohej.
E pashë menjëherë se nuk ishte një histori që duhej ruajtur për analizë. Ishte një projekt që duhej rrëzuar para se të merrte formë. Sepse kur një mur fillon të ndërtohet, ai nuk është më vetëm beton. Ai bëhet realitet politik, bëhet zakon, bëhet kufi në mendje para se të bëhet në terren.

Prandaj vendosa ta publikoj. Jo për të informuar, por për të ndërhyrë. Jo për të treguar një zhvillim, por për ta ndalur atë. Sepse në atë moment, heshtja do të ishte bashkëpunim. Dhe publikimi ishte mënyra e vetme për ta prishur një projekt që po përgatitej të bëhej i pakthyeshëm.
Ka një brez që flet shumë për urën e Ibrit, për veriun, për ndarjen, për sovranitetin, por nuk di asgjë për kohën kur këto nuk ishin slogane por rrezik real, kur një vendim i vetëm mund ta ndante Kosovën fizikisht dhe përfundimisht. Ka njerëz në jetën publike që flasin për murin sikur të ishte metaforë politike, ndërkohë që dikur ai ishte projekt konkret, me vizatim teknik, me plan ndërtimi, me mbështetje ndërkombëtare dhe me orë të numëruara për t’u bërë realitet.
Ky është rrëfimi për murin që do ta ndante Mitrovicën.
Më 30 maj 2001, Koha Ditore publikoi një shkrim që sot duhet të lexohet si dokument, jo si gazetari. Titulli ishte brutal në thjeshtësinë e tij. Një ditë, mund të zgjohemi me mur pranë lumit Ibër. Nuk ishte paralajmërim retorik. Ishte përshkrim i një realiteti që po përgatitej në heshtje.
Brenda atij shkrimi ishte rrëfimi i një projekti të hartuar seriozisht nga forcat franceze të KFOR-it, të cilat kishin marrë përgjegjësinë për veriun sipas ndarjes operative të NATO-s. Nuk ishte një ide e çmendur e ndonjë oficeri lokal. Ishte një koncept i strukturuar, me logjikë ushtarake dhe me mbështetje të një pjese të zinxhirit komandues ndërkombëtar. Synimi ishte i qartë. Stabilitet përmes ndarjes fizike. Qetësi përmes betonit.
Skica e publikuar në atë shkrim ishte dëshmi e këtij mendimi. Një mur përgjatë Ibrit, me elemente të përhershme sigurie, me pika kontrolli, me kufizim të lëvizjes dhe me një arkitekturë që nuk ishte e përkohshme. Nuk ishte një barrikadë që hiqet nesër. Ishte një strukturë që synonte të bëhej fakt i pakthyeshëm.
Legjenda poshtë skicës nuk ishte thjesht shpjegim teknik. Ishte deklaratë politike e fshehur në gjuhë inxhinierike. Dispozitivi i mbrojtjes permanente. Kjo fjalë permanente është thelbi i gjithë historisë. Nuk bëhej fjalë për një zgjidhje të përkohshme për tensionet e pasluftës. Bëhej fjalë për institucionalizim të ndarjes. Për një vijë që do të kthehej në realitet të përditshëm dhe më pas në fakt të pranueshëm.
Në atë kohë, projekti kishte kaluar fazën e diskutimit. Ai ishte në prag të zbatimit. Dhe ajo që ndodhi më pas nuk ishte thjesht gazetari. Ishte ndërhyrje në histori.
Projekti më është dorëzuar në dorë. Si një dokument që duhej të mbetej sekret. Si një plan që nuk duhej të dilte në publik. Dhe pikërisht aty fillon pjesa që sot mungon nga kujtesa kolektive. Nuk ishte vetëm çështje informimi. Ishte vendim për ta bërë publik një projekt që mund ta ndante Kosovën përgjithmonë.
Pas publikimit, reagimi nuk ishte institucional, ishte hetimor. Në kazermën franceze në Mitrovicë, tri herë jam marrë në pyetje. Pyetja ishte e njëjtë. Kush e ka minuar projektin. Ata nuk e quanin gazetari. E quanin sabotim. Dhe në një farë mënyre kishin të drejtë. Sepse ajo që u bë, ishte sabotim i një ideje që po merrte formë reale.
Problemet me gjeneralët francezë nuk ishin të lehta. Ishin të rënda, të drejtpërdrejta dhe pa diplomaci. Sepse për ta, projekti ishte zgjidhje. Për ne, ishte fillimi i një ndarjeje që nuk do të kishte kthim.
Sot, kur dëgjoj njerëz që flasin për murin e Ibrit si ide të re, si debat aktual, si opsion politik, kupton se sa e cekët është kujtesa dhe sa e rrezikshme është padija. Nuk është problem që nuk e dinë historinë. Problemi është që flasin me siguri për gjëra që nuk i kanë jetuar dhe nuk i kanë kuptuar.
Muri nuk ishte metaforë. Nuk ishte figurë letrare. Ka qenë projekt. Ka pasur vizatim. Ka pasur buxhet. Ka pasur komandë ushtarake pas tij. Dhe ka pasur edhe një moment kur mund të bëhej realitet.
Dhe nuk u bë.
Nuk u bë sepse dikush vendosi ta nxjerrë në dritë. Sepse dikush vendosi të rrezikojë për ta ndalur. Sepse dikush nuk e pa si kompromis, por si kapitullim.
Në një kohë tjetër, do të tregohen edhe emrat e atyre që e bënë të pamundur ndërtimin e murit përgjatë gjithë lumit Ibër. Jo si histori personale. Por si pjesë e një kapitulli që sot po harrohet me një lehtësi të frikshme.
Post Scriptum
Ka edhe një pjesë të kësaj historie që nuk duhet harruar. Guximi për të mbajtur sekretin për tre javë, në një kohë kur çdo rrjedhje mund të shkatërronte gjithçka. Garentina Kraja dhe Nebi Qena e morën këtë barrë dhe e mbajtën. Nuk ishte vetëm gazetari. Ishte përgjegjësi. Dhe në atë kohë, ishte edhe rrezik. Këta matrapazet e sotem në politikë, te fjalive ne tv dhe te shkronjave kurr sdo ta kuptojnë historinë e luftës dhe pasluftën e saj.



