Muriqi: Dua të pensionohem te Mallorca dhe pastaj të hap biznese në këtë vend
Sulmuesi i kombëtares së Kosovës dhe Mallorcas, Vedat Muriqi, ka nisur sezonin shumë mirë, duke shënuar pesë gola në 10 ndeshjet e para.
Muriqi, i cili ka qenë i ftuar në emisionin “Jugam a Fora de Joc”, ka thënë se qëllimi i tij është të bëhet golashënuesi më i mirë në historinë e klubit spanjoll.
Kujtojmë se ai është gjashtë gola pas Arangos, ndërsa golashënuesi kryesor është Samuel Eto’o. “Kam rinovuar kontratën me Mallorcan dhe plani im është ta përfundojë këtu dhe të tërhiqem. Kur të tërhiqem, shpresoj të hap biznese në Mallorca dhe të mund të vij këtu dhe të flas për klubin dhe skuadrën”, ka thënë ai .
Më tutje, ai ka bërë me dije se si ka ardhur deri te transferimi i tij te Mallorca, pasi nuk po kalonte fazë të mirë te Lazio. “Kur isha te Lazio, më telefonoi Ortells, por unë refuzova ofertën. Pata shumë vështirësi në Itali dhe kur isha në formë fizike, Sarri nuk më kishte në planet e tij. Desha të shkoja huazim te një ekip italian, por reputacioni im ishte shumë i dobët. Ortells më telefonoi sërish dhe fillova të kërkoja referenca nga Mallorca, dhe prita. Nuk solla familjen sepse mendova se do të ishte vetëm për katër muaj. Erdha për katër muaj dhe jemi këtu pothuajse pesë vite”, ka shtuar “Pirati” dardan.
Ai ka thënë me plotë vetëbesim se do të ndjek rekordin e Eto’os. “Do të doja të bëhesha një legjendë e Mallorcas. Jam gjashtë gola larg për të kaluar Arango-n si golashënuesi i dytë më i mirë në La Liga. Mendoj se këtë vit do ta kaloj. Vitin e ardhshëm do të shkoj pas Samuel Eto’s”, ka thënë Muriqi.
Muriqi ka thënë se e dëshiron një titull me Mallorcan, për ta mbajtur si kujtim. “Dua të fitoj një titull me Mallorcan dhe pothuajse e arritëm dy vite më parë me Copa del Rey, sepse La Liga është shumë e vështirë. Do të doja të fitoja një trofe dhe të mos harroja. Për mua do të ishte një ëndërr e bërë realitet”, ka deklaruar sulmuesi dardan.
Në këtë intervistë, Muriqi ka shpalosur objektivat e Mallorcas dhe të tij për këtë sezon. “Do të jemi seriozë për Kupën, të fitojmë raundin e parë dhe ta marrim hap pas hapi. Ashtu si bëmë dy vite më parë, jemi të aftë dhe kemi skuadrën për ta bërë. Duhet të besojmë dhe ta tregojmë në fushë, jo vetëm me fjalë”, ka shtuar Muriqi, duke shtuar se këtë vit ka punuar shumë fizikisht dhe mendërisht. “Gjithmonë kisha dëmtime në muskujt e pasmë dhe tani po punoj për parandalim para dhe pas stërvitjes. Kam vështirësi të fle pas ndeshjeve. Nuk më pëlqejnë tabletat. Natën e kaluar kam fjetur në orën 4:00 dhe u ngrita në 8:00 të mëngjesit”, ka thënë ai kur është pyetur për lëndimet e pësuara.
Ai foli edhe për “problemet” e tij me kequshqimin. “Shumë më pëlqente çokollata. Haj dy qese pas ndeshjeve. Kam qenë më i kontrolluar për dy vite. Po ashtu, pija shumë Coca-Cola, dhe tani pothuajse nuk e kam pirë për shtatë muaj”, ka përfunduar Muriqi.



