Murphy: Serbia s’ka të ardhme me Rusinë, s’është konstruktive të qëndrosh pranë Putinit
Senatori amerikan Chris Murphy ka thënë se shpreson që Serbia të miratojë sanksionet perëndimore kundër Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë, duke i thënë vendit ballkanik se “nuk ka të ardhme” në një aleancë me Moskën.
“Pushtimi i Rusisë ka qenë një fatkeqësi absolute dhe besimi im është se Rusia përfundimisht do ta humbasë këtë konflikt”, tha senatori Murphy meqë Serbia është i vetmi vend në Europë që nuk ka vendosur asnjë sanksion ndaj Rusisë.
“E ardhmja e Serbisë është me Bashkimin Europian dhe me Shtetet e Bashkuara jo me Rusinë. Nuk ka të ardhme me Rusinë. Ata (Rusia) do të shkatërrohen”.
Megjithëse Serbia po kërkon zyrtarisht anëtarësimin në BE dhe e ka dënuar pushtimin rus në Ukrainë në Kombet e Bashkuara, Beogradi ka ruajtur marrëdhëniet e tij historikisht miqësore me Moskën, shkruan AP.



