
Murtaja e bagëtive në Shqipëri, AUV-i me thirrje për fermerët në Kosovë
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) e Republikës së Kosovës ka lëshuar një njoftim të rëndësishëm për të gjithë fermerët, veçanërisht ata që jetojnë në zonat kufitare me Shqipërinë, pas konfirmimit të shpërthimit të sëmundjes ngjitëse PPR (Mortaja e Dhenve dhe Dhive) në disa rajone të Shqipërisë.
Në njoftim është theksuar rëndësia e masave parandaluese për të shmangur përhapjen e kësaj sëmundjeje në territorin e Kosovës.
AUV-i ka kërkuar nga fermerët që:
– Të shmangin çdo kontakt të deleve dhe dhive me kafshë të ardhura nga Shqipëria;
– Të mbajnë nën monitorim të vazhdueshëm gjendjen shëndetësore të kafshëve të tyre;
– Të raportojnë menjëherë te veterineri zyrtar nëse vërehen shenja të dyshimta si ethe të larta, rrjedhje nga hunda, sytë apo plagë në gojë dhe dobësi të përgjithshme;
– Të mos lejojnë futjen e kafshëve të reja në tufë pa kontroll paraprak veterinar.
– AUV apelon se zbatimi rigoroz i këtyre masave është thelbësor për të mbrojtur shëndetin e tufave të bagëtive në Kosovë dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të kësaj sëmundjeje me pasoja të rënda ekonomike dhe shëndetësore.
Sëmundja PPR është ngjitëse dhe prek kryesisht delet dhe dhitë, duke shkaktuar humbje të mëdha në fermat blegtorale nëse nuk kontrollohet në kohë.