Mushkolaj: Kurti nuk do ta propozojë sërish Vjosa Osmanin për presidente?
Analisti Imer Mushkolaj ka deklaruar në emisionin Debat Plus se nuk e sheh të mundshme që kryeministri Albin Kurti ta propozojë edhe për një mandat tjetër presidenten aktuale Vjosa Osmani.
“S’besoj se do të ketë zgjedhje për shkak se po flasim vetëm për një emër që ka shprehur interesim për t’u rizgjedhur në postin e presidentes, e kjo është zonja Osmani”, ka thënë Mushkolaj.
Ai ka shtuar se, sipas tij, deklaratat e Kurtit lënë të kuptohet se mund të ketë një emër tjetër konsensual për këtë post.
“Sinjali që e ka dërguar zoti Kurti nuk flet vetëm për zgjedhje. Edhe kur flet për zgjedhje, unë mendoj se është sinjal se megjithatë do të gjendet ose do të propozohet dikush që mund të ketë konsensus shumë më të gjerë sesa vetëm brenda Lëvizjes Vetëvendosje”, ka theksuar ai.
Mushkolaj ka shtuar se, për momentin, mungesa e emrave të tjerë konkretë e bën të vështirë analizën e situatës.
“Meqë nuk ka emra të tjerë për tani, është pak e vështirë të analizohet më tej, pasi nuk dihet se kush mund të jetë kandidati tjetër për postin e presidentit”, ka përfunduar Mushkolaj.



