
Mushkolaj: Kuvendi në “maskaradë politike”, vetëm Kushtetuesja mund ta zgjidhë krizën
Analisti Imer Mushkolaj ka komentuar krizën e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se procesi është kthyer në një “maskaradë politike” që dëmton të gjitha palët.
Sipas Mushkolajt, opozita nuk ka reaguar kur u bë ndarja e votimit për nënkryetarët nga komuniteti serb dhe jo-serb, përkundrazi e ka pranuar këtë mënyrë me veprimet e saj.
“Madje, opozita votoi kandidaten Emilia Rexhepi për nënkryetare, që do të thotë se e pranoi këtë ndarje të votimit”, ka theksuar ai.
Ai ka kritikuar edhe pretendimet e LDK-së se votimi i Rexhepit ka qenë aksidental:
“Pretendimi i LDK-së, se gjoja e kanë votuar aksidentalisht zonjën Rexhepi, është qesharak dhe i papjekur, sepse me vetëdije të plotë kanë votuar për të”, ka shtuar Mushkolaj.
Duke folur për insistimin e Listës Serbe që Slavko Simiq të vazhdojë kandidimin, Mushkolaj tha se procesi ka përfunduar dhe partia duhej të sillte një emër të ri. Ai kujtoi edhe rastet e mëparshme kur kandidatët serbë nuk kanë marrë vota të mjaftueshme në Kuvend.
Në fund, analisti theksoi se dilema kryesore mbetet: a është konstituar Kuvendi dhe cilët janë hapat që duhet të ndërmerren.
“Pyetja mbetet: çka tutje? A është konstituuar Kuvendi apo jo? Vetëm Gjykata Kushtetuese mund të japë një përgjigje të qartë. Nëse po, çka ndodh? Nëse jo, prapë çka ndodh?”, u shpreh ai.
Sipas Mushkolajt, pa një vendim të qartë, edhe presidentja Vjosa Osmani e ka të vështirë të marrë vendime lidhur me mandatarin për formimin e Qeverisë. /dukagjini,com