Mushkolaj: Qytetarët presin që Kurti të fokusohet në luftimin e korrupsionit
Analisti politik Imer Mushkolaj ka treguar se qeveria Kurti në tre mujorin e parë të punës ka ndërmarrë disa iniciativa që kanë të bëjnë kryesisht me sundimin e ligjit.
Ai ka deklaruar për gazetën “Epoka e re” se qytetarët presin më shumë rezultate në këtë drejtim.
“Pritjet për qeverinë Kurti janë të mëdha. Gjatë kësaj kohe qeveria ka ndërmarrë iniciativa që kanë të bëjnë kryesisht me sundimin e ligjit, ndërkohë që nuk ka pasur veprime të nevojshme sa i përket zhvillimit ekonomik. Nëse ata qytetarë që e kanë votuar Kurtin ia kanë dhënë votën për premtimin se ai do ta luftojë korrupsionin, ata presin që Kurti të fokusohet veçanërisht në këtë aspekt. Për këtë shkak edhe qeveria ka qenë më shumë e fokusuar në çështjet si rregullimi ligjor për konfiskimin e pasurisë së paligjshme dhe vetingu”, ka thënë Mushkolaj. Ai ka vlerësuar se është vështirë që tani të thuhet nëse kjo qeveri do të arrijë t’u përmbahet premtimeve që ka dhënë para qytetarëve.
Sipas tij, gjatë këtyre tre muajve kryeministri Albin Kurti shumë veprime i ka bërë sikurse të paraardhësve.
“Premtimet janë dhënë për një mandat qeverisës. Qeveria Kurti do të përballet me shumë sfida dhe është e vështirë të thuhet nëse do t’u përmbahet premtimeve të dhëna. Qeveria e re nuk duhet të sillet si ato paraprake, nëse dëshiron ta mbajë besimin e qytetarëve. Por, me disa veprime që ka ndërmarrë, sidomos në çështjet si emërimet politike, reciprociteti me Serbinë, dialogu me Serbinë etj., Kurti po tregon se plot veprime e fenomene që dikur i ka kritikuar më të madhe, tash kur është në pushtet po detyrohet t’i ‘përpijë’”, ka thënë Mushkolaj.



