Musk dhe Trump darkojnë në Mar-a-Lago, lënë pas marrëdhëniet e acaruara prej muajsh
Elon Musk dhe Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, darkuan së bashku të shtunën në mbrëmje në rezidencën Mar-a-Lago, pranë Zonjës së Parë, Melania Trump. Takimi vjen pas muajsh marrëdhëniesh të ftohta dhe përplasje publike mes dy figurave.
Musk publikoi një foto nga darka në rrjetin X, duke shkruar:
“Kisha një darkë të mrekullueshme dje në mbrëmje me Presidentin e SHBA-së dhe Zonjën e Parë. Viti 2026 do të jetë fantastik!”
Mesazhi shihet si një sinjal optimizmi dhe i rikthimit të kontakteve publike mes tyre, pas periudhës kur Trump kishte deklaruar më parë se nuk kishte ndërmend të komunikonte me Musk, për të pranuar më pas se drejtuesi i Tesla dhe SpaceX kishte kaluar një “periudhë të vështirë” dhe se “thelbësisht është një njeri i mirë”.
Dy figurat ishin parë më parë bashkë në shtator, gjatë një ceremonie përkujtimore për Charlie Kirk në Arizona, por pa ndonjë zhvillim të mëtejshëm publik.
Pak orë pas darkës dhe në mes të zhvillimeve të shpejta në Venezuelë, Musk publikoi një seri postimesh në X, duke shprehur mbështetjen e tij për popullin e vendit.
Ndërkohë, kompania Starlink njoftoi se do të ofrojë internet falas në Venezuelë deri në fillim të shkurtit, një lëvizje që Musk e përshkroi si përpjekje për “të mbështetur popullin në një periudhë pasigurie”./Panorama.al



