
Musku kërcënon ta nxjerrë nga funksioni anijen kozmike “Dragon”
Miliarderi Elon Musk ka kërcënuar që ta nxjerrë jashtë përdorimit anijen kozmike Dragon të Space X, pasi që presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi t’ia ndërpresë kontratat qeveritare, raporton “BBC”.
Anija kozmike ishte projektuar me 396 milionë dollarë nga NASA.
Versionet Dragon 1 dhe Dragon 2 janë përdorur për t’i çuar astronautët dhe furnizimet në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor. Nëse Musk vazhdon me planin, atëherë do të ndikojë seriozisht në aftësitë e NASA-s për të vepruar në hapësirë. SpaceX dhe Starlink kanë kontrata të majme me Departamentin e Mbrojtjes dhe disa projekte janë të klasifikuara.
Pas kërcënimeve të Muskut ka reaguar edhe NASA.
“NASA do të vazhdojë ta zbatojë vizionin e presidentit për të ardhmen e hapësirës. Ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë të industrisë për të siguruar që objektivat e presidentit në hapësirë të përmbushen”, tha një zëdhënës i NASA-s.
Përplasja mes presidentit amerikan Trump dhe ish-këshilltarit të tij Musk po vazhdon të thellohet.