
Muslija: Ndeshja ndaj Zvicrës na hapi sytë, do të luftojmë deri në fund për kualifikim
Nuk ka qenë një nisje e mirë e kampanjës kualifikuese për Kampionatin Botërorë sa i përket Kombëtares së Kosovës me një humbje të thellë 4-0 nga Zvicra në Basel.
Megjithatë vetëm tre ditë më vonë, Dardanët reflektuan, duke mposhtur Suedinë në Fadil Vokrri me rezultat të pastër 2-0, në një ndeshje ku shkëlqyen të gjithë futbollistët.
Një nga futbollistët më të mirë në fushë ishte mesfushori Florent Muslija, i cili vallëzonte me topin ndaj suedezëve, duke u gjendur në çdo cep të fushës.
Muslija vrapo gjatë 90 minutave pa ndalë, derisa përkundër që është një futbollist kreativ, ndaj suedezëve mesfushori kosovar kishte grintë të madhe, luftonte në çdo cep dhe dominoi në mesfushë.
Në një intervistë të gjatë për Telegrafin, Muslija ka folur për sfidën e fituar ndaj Suedisë, përballjen e ardhshme ndaj Sllovenisë si dhe formën e shkëlqyer që po kalon te skuadra e tij Fortuna Dusseldorf.
“Ndaj Suedisë ka qenë një ndeshje e jashtëzakonshme nga e gjithë skuadra. Nuk duhet të veçohet ndokush pasi të gjithë kemi luajtur mirë, kemi luftuar në fushë dhe kemi qenë të vendosur për të marrë fitore”, tha fillimisht Florent Muslija për Telegrafin.
27-vjeçari vallëzonte me topin ndaj suedezëve, një kombëtare me një vlerë prej 444 milionë eurove në total.
Muslija thotë se përkundër që nuk shënoi ose asistoi, e vlerëson duelin me Suedinë si sfidën më të mirë personale me fanellën dardane.
“Kam mundur të shënoj një gol ose dy, i kisha rastet. Megjithatë i lumtur jam që kemi fituar dhe kjo ka rëndësi. Po, mund të them se ndaj Suedisë është ndeshja ime më e mira me fanellën e Kombëtares së Kosovës”, vazhdon tutje Muslija.
Futbollistët e Kosovës kishte kohë që nuk ishin më të bashkuar se sa në ndeshjen ndaj Suedisë. Muslija thotë se krejt kjo erdhi pasi u shokuan nga ajo që ndodhi ndaj Zvicrës dhe e kuptuan se vetëm të bashkuar mund të bëjnë gjëra të mëdha.
“Ajo që ka ndodhur ndaj Zvicrës vazhdojmë të mos e kuptojmë se çfarë ka ndodhur. Kemi bërë analizën, por vërtetë nuk mund ta kuptoj askush nga ne se si na erdhi ajo humbje. Ajo që keni parë në Basel nuk është fytyra e Kombëtares sonë”.
“Pas asaj humbje kemi kuptuar se duhet të qëndrojmë të gjithë të bashkuar, të luftojmë të gjithë njëri për tjetrin pasi vetëm në këtë mënyrë mund të arrijmë te fitoret. Të gjithë kanë luftuar shumë ndaj Suedisë dhe i bëmë ata të duken shumë të dobët ndaj nesh. Ishte një natë magjike”, tha Muslija.
Ndeshjen e radhës Kosova e zhvillon sërish në “Fadil Vokrri”, ku përballet me Slloveninë dhe fitorja është e domosdoshme për të vazhduar ëndrrën.
“Fitorja ndaj Suedisë vlen vetëm nëse bëjmë paraqitje të njëjtë edhe ndaj Sllovenisë. Na duhet fitore dhe duhet të luftojmë për ta fituar edhe atë ndeshje”, thotë Muslija.
Reprezentuesi kosovar ka rikthyer formën e tij të shkëlqyer dhe sigurisht që për këtë formë të mirë të tij merita të mëdha ka klubi i ri Fortuna Dusseldorf, ku Muslija iu bashkua si huazim gjatë verës nga Freiburgu.
Ai kishte edhe oferta të tjera, por e bindi projekti i klubit dhe trajneri Daniel Thioune që e kërkonte me ngulm.
“Kam pasur edhe disa oferta të tjera, por Dusseldorfi ka insistuar shumë për të më marrë. Sigurisht që më ka bindur edhe projekti i klubit për tu rikthyer në Bundesliga dhe trajneri i cili më kërkonte me ngulm”.
“Këtu jam më i lirë të luaj dhe edhe kur bëjë ndonjë gabim nuk kam presion, pasi të gjithë futbollistët gabojnë. Jam më i lirë në fushë, po luaj rregullisht, po shënoj e asistoj. Ndeshjet e mira me klubin kanë bërë që të jem në top formë edhe me Kombëtaren e Kosovës”, tha Muslija.
Deri në fund të kampanjës kualifikuese për Kampionatin Botërorë, Kosova ka edhe katër ndeshje për t’i zhvilluar, ku do të luajnë ndaj Sllovenisë dy herë, ndaj Suedisë në udhëtim dhe ndaj Zvicrës në shtëpi.
Mesfushori dardan thotë se Kosova mund t’i marrë edhe nëntë ose 10 pikë deri në fund dhe kësisoj të sigurojë të paktën pozitën e dytë.
“Kemi cilësi shumë në skuadër. Nuk është asnjë kundërshtar i lehtë, pasi janë secila kombëtare më e fortë se tjera. Gjithsesi mendoj që në katër ndeshjet e fundit mund t’i marrim nëntë ose 10 pikë dhe kësisoj të sigurojmë të paktën pozitën e dytë”, tha Muslija.
Kosova kishte mungesa të mëdha me dyshen e sulmit Milot Rashica e Edon Zhegrova, por edhe kapitenin Amir Rrahmani në ndeshjen e dytë.
Muslija për fund thotë se me rikthimin e këtyre tre futbollistëve në tetor, do të jetë Kombëtarja edhe më e fortë, pasi shtohet konkurrenca.
“Përkundër mungesave ne ndaj Suedisë treguam një lojë të mirë. Sigurisht që shpresojmë që në tetor të jenë në grumbullim edhe Amiri bashkë me Edonin dhe Milotin pasi do të jetë skuadra më e fortë dhe do të ketë konkurrencë më shumë”, përfundoi Muslija.